Ballina Aktualitet Durrës, Arta Marku: Kuvendi të aktivizojë mekanizmat kontrollues

Durrës, Arta Marku: Kuvendi të aktivizojë mekanizmat kontrollues

E pranishmë në Durrës për analizën e Prokurorisë në rang Apeli, duke përfshirë këtu edhe institucionet hetimore të Elbasanit dhe Kavajës, kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku ka theksuar se kriminaliteti në këto qarqe është në nivelet më të larta.

“Këto prokurori, në Durrës, Elbasan e Kavajë, bartin peshën më të madhe të kriminalitetit. Edhe pse ka arritje, ka edhe probleme, pasi ka shumë ankesa të qytetarëve në media. Ndërhyrja e Prokurorisë së Përgjithshme për të adresuar shumë komente e fyerje degraduese duhet kuptuar,” – ka thënë Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Sipas saj, në mungesë të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, procedura e hetimit disiplinor për prokurorët është e parealizuar. E për këtë i drejton edhe një thirrje Kuvendit.

“Prokurori i Përgjithshëm nuk ka kompetencë për ta çuar deri në fund këtë proces. Dispozita kalimtare nuk i ka dhënë të drejtën kryeprokurorit për të vazhduar procedimin disiplinor. Ndaj i bëj thirrje Kuvendit që të miratojë ndryshimet e nevojshme dhe të plotësojë boshllëkun ligjor për të vënë në lëvizje mekanizmat kontrollues,” – tha më tej Marku.