Ballina Aktualitet Durrës, arrest në burg për tre të akuzuarit për shpërndarje droge

Durrës, arrest në burg për tre të akuzuarit për shpërndarje droge

Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, teksa ka vlerësuar masat e sigurisë për katër të ndaluarit nën akuzat e prodhimit dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike, ka vendosur që tre prej tyre t’i lërë në burg, ndërsa njëri është lënë në arrest shtëpie. Në këtë mënyrë, trupi gjykues ka pranuar edhe kërkesën e parashtruar nga prokurori Madrid Kullolli për vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të katër personave nga Policia e Shtetit.

Dy ditë më parë, Policia e Shtetit në Durrës, në një operacion kundër prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, ndaloi shtetasit Besmir Dashi nga Librazhdi, Amir Troci nga Kamza, Nexhmi Uka nga Tirana dhe Alban Raita nga Kamza.

Tre të parët do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve dhe të procesit gjyqësor, ndërsa shtetasi Alban Raita do të qëndrojë në arrest në shtëpi. Të gjithë ata akuzohen për prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.