Ballina Aktualitet Durrës, arrest me burg për të akuzuarit për marrëdhënie seksuale me vajzën...

Durrës, arrest me burg për të akuzuarit për marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur në Kavajë

Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka caktuar masën e sigurisë së arrestit me burg për shtatë nga tetë djemtë e mitur nga Kavaja, të cilët akuzohen për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një bashkëmoshataren e tyre.

Pavarësisht se vepra e dyshuar penale e marrëdhënies seksuale me të mitur pretendohet se është konsumuar në Kavajë dhe autorët e dyshuar janë po nga Kavaja, seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë u zhvillua në Durrës për shkak të kushteve të veçanta ligjore dhe infrastrukturore që ligja kërkon për proceset penale që përfshijnë të miturit, kushte këto që Gjykata e Shkallës së Parë në Kavajë nuk i plotëson.

Që prej vitit 2017, procese të tilla gjyqësore rregullohen nga Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili përmban rregullime të posaçme lidhur me përgjegjësinë penale të të miturve, rregulla procedurale lidhur me hetimin, ndjekjen penale, procesin gjyqësor etj.

Seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe, në përfundim të saj, trupi gjykues vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurisë së arrestit me burg për shtatë djemtë e ndaluar.

Djemtë, të gjithë nxënës të Shkollës 9-Vjeçare “Rilindja” në Kavajë, dyshohen se rreth dy muaj më parë kanë kryer marrëdhënie seksuale me një bashkëmoshataren e tyre 13-vjeçare, nxënëse në të njëjtën shkollë, duke e shantazhuar atë me publikimin e një video intimiduese. Autorë të kësaj vepre penale dyshohet se kanë qenë tetë djem, por vetëm shtatë prej tyre janë ndaluar, ndërkohë që i teti është në kërkim. Ndalimi u krye dy ditë më parë, pasi familja e vajzës denoncoi ngjarjen.