Ballina LAJME Durrës, ankthi i dhjetëra pacientëve talasemikë të infektuar nga gjaku

Durrës, ankthi i dhjetëra pacientëve talasemikë të infektuar nga gjaku

Përgjatë një dekade, dhjetra pacientë talasemikë u infektuan me Hepatit B dhe C dhe vuajnë pasoja të shumëfishta në shëndetin e tyre, ndërkohë që institucionet e shëndetësisë nuk i hetuan shkaqet dhe “lanë duart” nga përgjegjësia për kurimin e tyre.
Survejanca e parë biologjike, e kryer në vitin 2006 nga Instituti i Shëndetit Publik për pacientët talasemikë i shtoi vuajtjet në familjen e një 53-vjeçareje nga rrethinat e Durrësit. Nëna e dy fëmijëve talasemikë, i tha BIRN në kushtet e anonimatit se u trondit kur mësoi se e bija duhej të luftonte edhe me Hepatitin C, përveç betejës që në lindje me sëmundjen e gjakut.

“Vajza është konstatuar për herë të parë si paciente talasemike kur ishte 6 muajshe, në shtator të vitit 1992,” thotë 53-vjeçarja për BIRN.

“Hepatitin mund ta ketë marrë shumë vite më përpara, por këta si institucion arritën ta zbulojnë në vitin 2006, kur erdhën për të bërë analizat,” shton ajo, ndërsa fajëson Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në Tiranë për infektimin e së bijës.

E diagnostikuar me Hepatit C në moshën 13-vjeçare, vajza talasemike është sot 27 vjeç dhe vuan pasojat e një koleksioni sëmundjesh; të mëlçisë, zemrës dhe diabetit.Bashkë me dhjetra pacientë të tjerëtë ngjashëm në vend, ajo është “dëmi kolateral” i një sistemi të pasigurtë me transfuzionin e gjakut dhe mungesëssë kujdesit shëndetësor për trajtimin e pasojave.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se dhjetra pacientë talasemikë u infektuan me Hepatit B dhe C përgjatë dekadës së fundit, duke vuajtur pasoja të shumëfishta në shëndetin e tyre. Një pjesë e konsiderueshme e të infektuarve, sipas Institutit të Shëndetit Publik i përkasin moshave nga 5 në 14 vjeç. Transfuzioni i gjakut fajësohet gjithashtu për infektimin e 4 fëmijëve me virusin HIV/AIDS, të diagnostikuar gjithashtu në survejancën e parë biologjike të kryer në vitin 2006.