Durrës/Akuzohet për 9 vjedhje në zonën e plazhit, policia arreston 47 vjeçarin

48

Një operacion i policisë së Durrësit, i koduar “Navigatori”, ka vënë në pranga një person të dyshuar për së paku 9 vjedhje të ndodhura kryesisht në zonën e plazhit.

I arrestuari është Aleksandër Qarri, 47 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

I ndaluari akuzohet se më 29 shtator, gjatë natës, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, ka thyer xhamin e automjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit E. K., ku ka vjedhur disa sende personale. Gjithashtu ka vjedhur pasqyrat e një mjeti në pronësi të shtetasit M. M.

49-vjeçari dyshohet se është autor i 7 vjedhjeve të tjera të ndodhura gjatë muajit shtator në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës.

Qarri akuzohet se ka thyer xhamat e mjeteve I. G., E. T., M. P., M. C., F. A., Xh. R. dhe ka vjedhur navigator, pasqyra ose sende personale.

Gjithashtu dyshohet se më datë 22 shtator, gjatë natës, në lagjen nr. 13, Durrës, ka thyer xhamin e një automjeti në pronësi të një institucioni shtetëror, ku ka marrë një palë çelësa.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan çelësa egzagonal që shërbenin për zbërthimin e navigatorëve dhe pasqyrave të mjeteve, pasqyrat e vjedhura të mjeteve dhe sende të tjera që shërbenin për kryerjen e vjedhjeve.

Ndaj të ndaluarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprën penale “Vjedhja”.