Ballina Aktualitet Durrës, aksident në Maminas, bllokohet qarkullimi në autostradë

Durrës, aksident në Maminas, bllokohet qarkullimi në autostradë

Një aksident i ndodhur sot paradite, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të Maminasit, ka sjellë probleme dhe pështjellim në qarkullimin e automjeteve, duke bllokuar lëvizjen e tyre për më shumë se 30 minuta.

Sipas të dhënave nga vendngjarja, vetë aksidenti nuk ka qenë me pasoja të rënda, por qarkullimi është bllokuar deri në ardhjen e Policisë Rrugore dhe largimin e automjeteve të dëmtuara nga rruga.

Gjasat janë që aksidenti të ketë ardhur si pasojë e drejtimit të pakujdesshëm të automjeteve, ku dy prej tyre janë përplasur. Dëmet e shkaktuara kanë qenë vetëm materiale. Por, deri në ardhjen e punonjësve të Policisë Rrugore, të cilët kanë hartuar proces-verbalin përkatës për dinamikën e aksidentit dhe për të identifikuar barrën e zhdëmtimeve për t’u kryer, automjetet e përfshira në aksident kanë qëndruar në rrugë, gjë që ka sjellë bllokimin e plotë të qarkullimit.

Autostrada Durrës-Tiranë, veçanërisht në orët e paradites, mbetet një ndër akset rrugore më të frekuentuara nga automjetet.