Ballina Aktualitet Durrës, akordohen 10,1 milionë euro për thellimin e portit (VIDEO)

Durrës, akordohen 10,1 milionë euro për thellimin e portit (VIDEO)

Porti i Durrësit ka akorduar fondin e nevojshëm prej më shumë se 10 milionë euro dhe, në Janar të vitit të ardhshëm, pritet të nisë puna për zbatimin e një projekti strategjik, i cili ka të bëjë me thellimin e kanalit hyrës dhe basenit portual. Drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit, Afrim Bakaj, ka theksuar se “ky investim do të mundësojë hyrjen në port të anijeve më të mëdha, ndërkohë që do të rrisë edhe efiçencën e operacioneve portuale.”

Porti i Durrësit është nyja më e rëndësishme e transportit detar në anën perëndimore të Ballkanit dhe akomodimi i anijeve më të mëdha është tashmë i domosdoshëm. Thellimi i portit është një projekt, i cili ka dështuar disa herë, ndërkohë që tani masat janë marrë që në muajin Qershor ai të jetë i përfunduar dhe i gjithë porti të ketë një thellësi prej më shumë se 10 metra.

Njëkohësisht, Porti i Durrësit ka përfituar edhe një financim prej 29 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e tre kalatave të tjera.