Duke “fluturuar” me 192 km/h në autostradën Tiranë-Durrës, policia bën apelin e fortë

56

Policia Rrugore e Tiranës, ka ushtruar kontrolle gjatë natës për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara, e cila është rrezik potencial për aksidente rrugore.

25 patenta të pezulluara dhe tre drejtues mjetesh të arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur .

Prej orës 20.00 të mbrëmjes së djeshme e deri në orën 01.00 të mëngjesit të sotëm në rrugën interurbane Tiranë- Durrës -Tiranë si rezultat i monitorimit të rrugës me radar janë evidentuar shpejtësi tej normave të lejuara që varionin nga 131 km/h deri në 192 km/h në rrugë në orët kur fluksi i mjeteve vijon ende i lartë.

Për 5 orë kontroll me radar u pezulluan 14 patenta, kur tre prej drejtuesve të mjeteve, konkretisht 30-vjeçari nga qarku Durrës me 163 km/h, 28-vjeçari nga qarku Dibër me 166 km/h dhe 29- vjeçari nga Tirana me 165 km/h rrezikojnë pezullimin e patentës deri në një vit pasi nuk iu bindën shenjës së policisë për të ndaluar duke vijuar me shpejtësi por janë kapur në ndjekje nga patrullat e Policisë Rrugore.

Kontrollet vijuan me drager në rrugët e kryeqytetit ku janë evidentuar 8 drejtues mjetesh që drejtonin mjetin nën ndikimin e alkoolit dhe tre drejtues mjetesh janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

“Drejtues mjetesh, mos fluturoni në rrugë por qarkulloni brenda limiteve të lejuara, se në rastin më të mirë ju pret Polici dhe Radari, e në rastin më të keq ju pret aksidenti. Mos harroni se shpejtësia e pakontrolluar dhe përtej limiteve të lejuara lëndon dhe merr jetë! Zbato rregullat, udhëto i sigurtë”, apelon policia.