Dy adoleshentë në Lushnjë, janë vënë në pranga pasi kanë dhunuar një të moshuar, duke tentuar ta grabisnin në banesë.
Policia thotë se gjatë ditës së djeshme, një 18-vjeçar, J.K., dhe bashkëpunëtorja e tij 16-vjeçare, K.B., kanë hyrë në banesën e shtetases 64-vjeçare, me iniciale L.Z., në lagjen “18 Tetori”.
Pasi janë futur në banesë, ata i kanë hedhur të moshuarës spraj lotsjellës në fytyrë, si dhe kanë ushtruar dhunë ndaj saj.
Djali dhe vajza e mbyllën 64-vjeçaren në një dhomë të banesës dhe kanë vijuar që të kontrollojnë për sende me vlerë, por nuk kanë gjetur gjë dhe janë larguar.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale sprajin lotsjellës që ata kishin përdorur me qëllim realizimin e vjedhjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim.