Ballina Aktualitet “Dorëhiqem në çast”, Artan Fuga: Pres vendimin e Metës

“Dorëhiqem në çast”, Artan Fuga: Pres vendimin e Metës

Profesori dhe Akademiku Artan Fuga ka deklaruar se do të japë dorëheqjen në çast nga Akademia e Shkencave, nëse Presidenti Ilir Meta pranon të dekretojë kreun e ri të këtij institucioni, Skënder Gjinushin.

Përmes një statusi në “Facebook”, Fuga është shprehur se nëse Gjinushi merr zyrtarisht drejtimin e Akademisë së Shkencave, do të largohet duke hedhur tej diplomën si akademik.

Reagimi i plotë i Artan Fugës:

Dorëheqjen ose vazhdimin tim si anëtar i akademisë së shkencave
tanimë në orët dhe ditët që vijnë
e ka në dorë ekskluzivisht Presidenti i Republikës z. Ilir Meta!

———–

Pres vendimin e z. President Ilir Meta për të dhënë përfundimisht dorëheqjen nga akademia e shkencave apo për ta vazhduar betejën për shkencën dhe akademinë e saj, për ta pastruar atë nga shkeljet ligjore dhe nga kalbëzimi intelektual, financiar dhe organizativ!

Gazetarë dhe kolegë më pyesin se çfarë do të bëj pasi kam denoncuar parregullsitë ligjore në akademinë e shkencave, zgjedhjet e paligjshme të kryesisë së saj, si edhe abuzimet financiare atje?

Përfundimisht po përgjigjem:

Eshtë e drejta kushtetuese e presidentit të Republikës, z. Ilir Meta, t’a pranojë ose jo të si ligjshëm kryetarin e akademisë së shkencave zgjedhur në shkelje flagrante të ligjit.

Mua më takon të di vetëm se çfarë do të bëj unë vetë!

Nëse zgjedhjet në kryesinë e akademisë së shkencave njihen drejtpërdrejt ose tërthorazi si të ligjshme,
brenda 24 orëve nga ai çast
do të jap dorëheqjen nga akademia e shkencave
duke mos pranuar të bashkëjetoj me paligjshmërinë, abuzimet dhe një institucion krejt të kalbur, monist dhe çerdhe privilegjesh!

Do ta sakrifikoj karrierën time atje, pagën apo honorarin e përmuajshëm, si edhe të gjitha beneficet e tjera që vijnë nga ai status shkencor dhe institucional!

Do largohem duke e hedhur tej diplomën time të akademikut jo si dorëzim, por
si një mesazh alarmi për publikun,
si besnikëri ndaj komunitetit universitar,
si bindje për reformën e thellë që kam propozuar,
si përbuzje ndaj deputetëve që e sabotuan reformimin e atij institucioni,
dhe si qendrim revolte ndaj asaj politike dhe atyre politikanëve që nuk dëshirojnë kërkues shkencor dhe universitarë e intelektualë të pavarur duke e vendosur shkencën nën vargonjtë e politikës!

Do ta them fjalën time të fundit denoncuese dhe do largohem me ndërgjegje të qetë duke pritur që ndoshta do të vijnë ditë më të mira!

Deri atëhere pres, pres qetësisht vendimin përfundimtar të zotit President, Ilir Meta!

Me shpresë, por edhe me shqetësim!

Deri atëhere mirëupafshim!