Ballina Aktualitet Djegia e mandateve, deputeti Koka kundër LSI: Nuk e djeg mandatin

Djegia e mandateve, deputeti Koka kundër LSI: Nuk e djeg mandatin

Lëvizja Socialiste për Integrim iu bashkua dje unanimisht opozitës së bashkuar për të djegur mandatet, por sot deputeti i Durrësit, Lefter Koka vendosi të dalë kundër vullnetit të grupit parlamentar LSI dhe kryetares Monika Kryemadhi.

Koka thekson se është zgjedhur për të përfaqësuar popullin dhe shton se LSI po tërhiqet zvarrë nga Sali Berisha, njëri që sipas tij, bën thirrje për të qëlluar me “plumb ballit” në shekullin e 21.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale deputeti Koka bëri me dije vendimin e tij dhe theksoi ndër të tjera se duke qenë se ka ardhur dita që LSI-në ta tërheqë zvarrë Berisha me Lulzim Bashën, ata nuk mund të tërheqin dot zvarrë drejt aventurave edhe atë.

Reagimi i plotë:

Opozita dje mori vendimin për të djegur mandatet e deputetit.

Vendimi im i palëkundur është se unë nuk do të djeg mandatin e deputetit, që mijëra durrsakë më kanë besuar. I zgjedhur prej vullnetit të bashkëqytetarëve të mi, për të ushtruar pushtetin legjislativ dhe të jem përfaqësuesi i tyre. Parimet e mia në 2 dekada te jetës sime politike janë udhëhequr vetëm nga interesi i qytetarëve. Janë ata që me kanë treguar gjithmonë cila është e drejta dhe e vërteta, janë ata bashkëudhëtarët dhe udhërrëfyesit e mi.

Ky nuk është një vendim thjeshte i Lëvizjes Socialiste për Integrim por i Saliut, i cili në shekullin e 21 bën thirrje për plumba ballit. Dhe nese erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI , a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave qe une i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë.

Mandati im është besimi i mijëra qytetarëve. Është mandati i qytetarisë, kulturës dhe fisnikërisë durrsake , që as në ditët më të vështira të këtij qyteti nuk theu kurrë një xham. Qytetarët durrsakë kanë treguar në çdo kohë, se ata janë shembulli më i mirë i shoqërisë shqiptare. Mandati im nuk mund të përdoret asesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar.

Thellësisht mirënjohës për të përfaqësuar sa më denjësisht zërin tuaj!