Ballina Aktualitet Djath, çokollata dhe llokume, AKU bllokon 225 produkte pa standarde

Djath, çokollata dhe llokume, AKU bllokon 225 produkte pa standarde

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar sasi djathi, llokume me arra, suxhuk dhe disa produkte të tjera, që nuk plotësonin kushtet për tu shitur. AKU bën me dije se ka gjobitur disa biznese, ndërkohë që produktet ushqimore janë hequr nga tregu.

Njoftimi

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon me kontrollet për të garantuar përmbushjen e kërkesave ligjore të sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konkurencës së ndershme dhe interesave të konsumatorëve.

1. Kontrolli i ushtruar nga DRAKU Tiranë nё subjektin “Sami Cerri” evidentoi se subjekti ushtronte aktivitetin “Prodhim dhe tregtim tё produkteve tё pastiçerisë” në mungesë të licencës përkatëse dhe rregjistrit të shitjeve. Gjithashtu, u konstatuan 225 kg produkte me etiketa tё panotifikuara, qё nuk pёrmbushin kёrkesat ligjore (suxhuk me arra, llokume).

Për shkeljet e konstatuara, ndaj subjektit u morën masat administrative:
a) “Gjobë” me vlerën 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit pa disponuar licencën përkatëse;
b) “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë;
c) “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin;
d) “Bllokim i produkti” me destinacion asgjësimin e sasisë prej 225 kg produkte ushqimore;
e) “Ndërprerje e aktivitetit”.

2. Kontrolli i ushtruar nga DRAKU Fier në subjektin “Lindita Gjini” me aktivitet “Market” në qytetin e Lushnjës evidentoi tregtim të mallrave me afat përdorimi të kaluar (amareta, djath, kroasan, kek, çajra, çokollata, pije energjike, vafer etj).

Për shkeljet e kontatuara ndaj subjektit u morën masat administrative:
a) “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për tregtim të mallrave të cilëve u ka kaluar afati i përdorimit;
b) “Bllokim i produktit” me afat përdorimi të kaluar me destinacion asgjësimin.

3. Kontrollet e kryera nga DRAKU Korçë në subjektet “Petraq Zhidro” dhe “Lico A+B” me aktivitet “Përpunim qumështi”, si dhe analizat laboratorike të mostrave përkatëse (djath i bardhë dhe djath kaçkavall), evidentuan mospërmbushje të kërkesave ligjore për treguesit e sigurisë së ushqimit.

Për shkeljet e konstatuara ndaj secilit prej subjekteve u morën masat administrative:
a) “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për ushqim të pasigurt;
b) “Bllokim i produktit” në sasinë prej 500kg djath i papërshtatshëm për konsum për asgjësim.

4. Kontrolli i ushtruar nga DRAKU Korçë në subjektin “Florent Dikellari” me aktivitet “Njësi tregtimi” evidentoi kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare.

Për këtë shkelje AKU mori masat administrative:
a) “Gjobë” në vlerën 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare;
b) “Ndërprerja e aktivitetit” deri në plotësimin e këtyre kushteve.

5. DRAKU Shkodër, në kuadër të masave administrative të marra gjatë kontrolleve të kryera, ka bërë asgjësimin e rreth 48.7 ton produkti “farë misri” e papërshtatshme për mbjellje. Procesi i asgjësimit u krye me pjesëmarrjen e inspektorëve të AKU, Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Drejtorisë të Tatimeve.