Ballina Aktualitet Djali i partizanit nis gjyqin për nder e dinjitet: Po shtrembërohet historia,...

Djali i partizanit nis gjyqin për nder e dinjitet: Po shtrembërohet historia, babai im atdhetar dhe idealist

Nga debatet mes historianëve dhe medias, polemikat për luftën Antifashiste- Nacional- Çlirimtare zbresin për herë të parë në gjykatë. Arben Saliu, djali i Maman Saliut, partizan gjatë rezistencës antifashiste si edhe komandant i çetës “Sali Vranishti” kërkon drejtësi nga gjykata pasi emri i të atit është përfshirë në librin “Kriminelët e Luftës ” nga i padituri Çelo Hoxha. Paditësi dhe i padituri u ftuan nga gjykata për pajtim, por çështja do t’i nënshtrohet gjykimit të zakonshëm

“Unë kam ardhur sot këtu jo për të mbrojtur babain tim, por nderin dhe dinjitetin e babait tim që ishte një atdhetar dhe patriot idealist dhe nuk mund ta bëjnë pis njerëz, të cilët nuk e di nga çfarë ndjenjash ushqehen.

Unë nuk mund të kostestoj as emrat që ka ai libër, as që mund t’i miratoj; unë kontestoj listimin e emrit të babait tim, që dje bëri luftën dhe sot duan t’i thonë kriminel. Babai im ka ikur nga jeta me 13 plagë në trup dhe është varrosur me copa predhe në trup në moshën 90-vjeçare”, shprehet Arben Saliu, djali i Maman Saliut.

I rritur në një familje të njohur patriotike, Arben Saliu vendos të flasë për dëmtimin që po i bëhet historisë duke mohuar kontributin e heronjve dhe dëshmorëve. “Padrejtësisht etiketohet si një nga kriminelët e luftës së bashku me disa nga bashkëluftëtarët e tij siç është edhe heroi i popullit, Hysen Cino apo Mustafa Matohiti e të tjerë.

Në këtë listë janë përfshirë edhe njerëz me një sens të theksuar patriotik siç është Gjergj Kokoshi. Ai luftoi dhe më pas u burgos.

Nuk e di, sot jeni në 16 shtator dhe mesazhi është i qartë, luftën e bënë njerëzit liridashës. Në këtë listë ishte futur edhe Rrahman Parllaku që ka vdekur, nuk e kuptoj si mund të jetë në këtë listë Gjergj Kokoshi, Ollga Plumi, Sejfulla Malëshova, Mustafa Matoiti, Mustafa Xhani, Hajdar Dushi e të tjerë”, deklaron Saliu.