Disiplina me dorë të hekurt për dhunën ndaj arbitrit, Shkumbini zbret një kategori më poshtë

0
2

Klubi i Shkumbinit e ka mbyllur sezonin më herët se çdo skuadër tjetër. Për shkak të dhunës së ushtruar ndaj arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen me Dinamon, disiplina ka dënuar peqinasit me përjashtim nga çdo aktivitet futbollistik për këtë sezon si dhe për pasojë zbritjen në një kategori më poshtë.

Gjithashtu Disiplina e ka dënuar Shkumbinin edhe me një gjobë prej 1 mln lekë të reja. Përveç klubit për të njëjtën akuzë e ka pësuar rëndë edhe futbollisti Andi Bakiasi, i cili është përjashtuar përjetë nga aktvitetet e zhvilluara nga FSHF. Si rrjedhojë e ngjarjeve ndeshja me Dinamon është humbur 0-3 në tavolinë.

Ky vendim është i ngjashëm me atë të sezonit të shkuar ndaj kamzës që e pësoi në të njëjtën mënyrë. Klubi i drejtuar nga Naim Qarri në atë kohë u dënua me zbritjen nga kategoria për dhunën e ushtruar ndaj arbitrit Eldorian Hamiti.

Përsa i përket vendimeve të tjera Disiplina nuk ka kaluar në heshtje as sherrin në Durrës në ndeshjen Teuta-Partizani. Për shkak të agravimit të situatës jashtë kufijve sportive dy futbollistë të Teutës si dhe dy futbollistë të Partizanit janë dënuar me pesë ndeshje përjashtim.