Ballina Aktualitet Diplomati amerikan: Përse ideja e Thaçit për kufijtë është e rrezikshme

Diplomati amerikan: Përse ideja e Thaçit për kufijtë është e rrezikshme

Diplomati amerikan, Louis Sell, në një analizë të gjatë, ka treguar se pse ideja për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e dëmshme dhe se përbën rrezik për stabilitetin e rajonit. Sipas tij, këtë nismë e ka bllokuar vendimi i marrë nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për taksë ndaj produkteve me origjinë serbe dhe nga Bosnja e Hercegovina, shkruan Gazeta Express.

Përveç tjerash ai e sheh si të pamundur edhe idenë e përfolur për shkëmbim të territoreve, pasi problem kyç e sheh qytetin e ndarë të Mitrovicës. Sell thotë se në Kosovë përveç Thaçit dhe përkrahësve të tij askush nuk e mbështet një ide të tillë për ndarje të Kosovës.

“Vendosja e tarifave nga Haradinaj, ka ndërprerë shkëmbimin, të paktën për momentin, por ajo që vjen më pas është e paqartë. Thaçi vazhdon të deklarojë me optimizëm se një marrëveshje është e mundur këtë vit dhe se duhet ulur për të biseduar me armiq por pa kushte. SHBA-ja vazhdon të kërkojë heqjen e tarifave edhe pse në ton më të moderuar dhe kërkuar rifillimin e lëvizjeve drejt një marrëveshje, duke paralajmëruar në të njëjtën kohë se durimi i tyre nuk është i pakufishëm”, – ka shkruar Seller.

Ai ka folur edhe për samitin e Berlinit të mbajtur me 29 prill të këtij viti, duke thënë se aty Merkel dhe Makron kanë bërë përpjekje për krijimin e një rruge të re evropiane, që nuk përfshinë korrigjimin e kufijve.

Sipas Seller një alternative e mundshme është që të lejohen serbët për të qeverisur veten brenda Kosovës, bazuar në Marrëveshjen e vitit 2013 për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të cilin më pas Gjykata Kushtetuese e shartoi duke ia hequr elementet kundër Kushtetuese. Megjithatë ai thotë se një ide e tillë shihet si e rrezikshme në Kosovë, pasi mendohet që serbët do ta shfrytëzojnë për ndarjen e Kosovës.

Kush është Louis Sell?

Pas një karriere në Shërbimin e Jashtëm, kryesisht në çështjet sovjetike dhe jugosllave, Louis Sell shërbeu në vitin 2000 si Drejtor i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë. Në vitin 2003 ai ishte një nga themeluesit e Universitetit Amerikan në Kosovë dhe ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv deri në vitin 2007. Ai ka një B. A. nga Franklin dhe Marshall College (1969) dhe një M. A. nga Johns Hopkins School of Advanced International Studies. Libri i dytë i Sell, Nga Uashingtoni në Moskë: Marrëdhëniet SHBA-Sovjetik dhe Kolapsi i BRSS, u botua nga Duke University Press në gusht 2016. Biografia e tij politike e Sllobodan Millosheviçit, Sllobodan Millosheviç dhe Shkatërrimi i Jugosllavisë u botua në vitin 2002. Ai është profesor zëvendësues në Universitetin e Maine në Farmington.