Ballina Kronikë Digjet qëllimisht ‘Benz’-i luksoz i kushëririt të Damian Gjiknurit, Bodurri: Makina është...

Digjet qëllimisht ‘Benz’-i luksoz i kushëririt të Damian Gjiknurit, Bodurri: Makina është e baxhanakut

Një automjet luksoz tip ‘Benz’ është djegur në mesnatë në Gramsh. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Xhile Liçi” në afërsi të qendrës së këtij qyteti. Policia njofton se automjeti me targë AA 999 XS që u dogj është në pronësi të Gjergji Bodurrit, i cili është kushëriri i ish-ministrit socialist, aktualisht deputet Damian Gjiknuri.

Gjatë natës në lagjen “Xhile Liçe”, të Gramshit, ka rënë zjarr në mjetin në pronësi të shtetasit Gj.B. i cili ishte i parkuar në rrugë pranë banesës. Si pasojë mjeti është djegur pjesërisht. Nga hetimi paraprak dyshohet se zjarri është i qëllimshëm, grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve” thotë policia e Elbasanit.

Por Gjergji Bodurri pas publikimit të lajmit ka reaguar për mediat duke deklaruar se makina nuk është në pronësi të tij, por e baxhanakut. ‘Makina nuk është e imja, por e baxhanakut tim‘ tha ai.

Megjithatë, policia thotë se makina është në pronësi të Bodurrit. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë zjarrfikësit dhe policia. Ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë që automjeti të mos digjet tërësisht, por vetëm në pjesën e përparme.

Ende nuk dihen shkaqet, por policia njofton se nga hetimi paraprak dyshohet se zjarri është i qëllimshëm, pasi mund të jetë përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme. Grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve pranë vendit ku u dogj makina për të shkuar në gjurmët e autorëve që i vendosën flakën makinës.

Makina ka qenë e parkuar në rrugë poshtë banesës së Bodurrit kur është përfshirë nga flakët gjatë natës. Gjergji Bodurri prej vitit 2013 deri pak kohë më parë, kur u mbyllën ka qenë përgjegjës i Task Forcës tek autoriteti i njësisë së lojërave të fatit, ndërsa administronte edhe disa pika në Gramsh.