Dhërmi/Familja në det të trazuar, fundoset mjeti lundrues, nuk gjendet gruaja DETAJE

41

Policia del me deklaratë lidhur me katër familjarët e zënë nga stuhia në mes të detit në Himarë.

Bëhet me dije se Policia Kufitare dhe roja bregdetare kanë shpëtuar tre persona që rrezikuan të mbyteshin në det, të cilët kishin dalë për peshkim me një mjet të vogël lundrues, i cili u fundos.

Aktualisht vijon kërkimi intensiv në det, për gjetjen edhe të një shtetaseje që ishte në bordin e këtij mjeti lundrues, e cila dyshohet se është mbytur.

Shërbimet e Policisë kufitare Dhërmi kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det për peshkim dhe si pasojë e dallgëve të mëdha dhe motit të keq personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe rojën bregdetare për ndihmë.

Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe rojës bregdetare dhe ndihmës nga një mjet lundrues turistik i rastit, u bë e mundur të shpëtohen shtetasit Robert Resulaj, Fatjon Resulaj, dhe Arsen Resulaj, ndërsa shtetasja M. Resulaj, nuk është gjetur ende.

Ndërkohë vijojnë kërkimet intensive me mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe të rojës bregdetare.

Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.