Ballina Aktualitet Deutche Welle, Tiranë, bomba molotov, përplasje me policinë, gazlotsjellës

Deutche Welle, Tiranë, bomba molotov, përplasje me policinë, gazlotsjellës

Protestuesit me thirrjet “Duam një Shqipëri si Europa” dhe “Rama Ik” protestuan për më tepër se 6 orë dhe u shpërndanë në orën 1.30 pas mesnate. Një pjesë e tyre, mes të cilëve edhe me fytyra të maskuara, sulmuan efektivat e policisë, institucionin e Kryeministrisë, Parlamentit dhe Drejtorisë së Policisë me bomba Molotov, hodhën tymuese dhe fishekzjarrë. Ata u përleshën me policinë, çanë kordonin e efektivave të saj dhe u ngjitën në hyrjen kryesore të Kryeministrisë. Bomba Molotov u hodhën edhe në godinën e Kryesisë së Parlamentit, përballë Kryeministrisë ku një ballkon u përfshi nga flakët.

Dënim i dhunës

Pasojë e dhunës së përshkallëzuar janë 14 efektiva policie të lënduar dhe dy protestues të shtruar në spital, krahas dëmtimit të godinave të institucioneve shtetërore. Dhuna në protestën e mbrëmshme është dënuar nga faktori ndërkombëtar i pranishëm në Tiranë. Prania e OSBE përmes një postimi në media vë në dukje se “dënon plotësisht ata që përpiqen të përdorin dhunë si një rrugë të shkurtër politike, ata do të dështojnë”.

OSBE foli edhe për “përgjegjësi politike të organizatorëve të protestës ndaj dhunës kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësve të tyre”. Në një reagim të dytë, pas akteve të dhunës në Drejtorinë e Policisë, OSBE theksoi se “dhuna nuk është përgjigja. Edhe reagimi i rëndë ndaj dhunës nuk ndihmon” duke iu drejtuar Policisë së Shtetit.

Ambasada e SHBA në Tiranë në një deklaratë të saj dënoi dhunën si një veprim që shkon në kundërshtim me demokracinë. “Synimi që deklaron opozita për ta bërë më të fortë demokracinë në Shqipëri është në kundërshtim me dhunën që po ushtrojnë aktualisht protestuesit”, thekson deklarata,

Kryeministri Rama në një postim në Twitter e quan politikën e opozitës “të verbër” dhe shkruan se “është trishtim që lideri i opozitës t’i kërkojë qeverisë të ikë kur rrotull tij hedhin zjarr mbi godinën e saj, zjarr që qeverisë nuk ka çfarë t’i bëjë, por Shqipërisë i bën dëm”. Shqipëria shpreson të marrë miratimin e Këshillit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE , në qershor apo shtator të këtij viti.