Ballina Aktualitet Dënohet gjyqtari i parë që u kap me shkelje të ligjit nga...

Dënohet gjyqtari i parë që u kap me shkelje të ligjit nga vettingu

Dënohet gjyqtari i parë që kaloi në sitën e vettingut ku ju zbuluan probleme me ligjin. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza është dënuar me 18 muaj shërbim prove.

Gjykata Penale e Tiranës dha sot këtë vendim ndërkohë që prokuroria e kryeqytetit kishte kërkuar dënimin me 18 muaj në burg (1 vit e gjysëm). Ai u dënua me 9 muaj burg, që u konvertua në 18 muaj shërbim prove. Me këtë vendim edhe pse jo i formës së prerë, ish-gjyqtari nuk do të qëndrojë asnjë ditë pas hekurave.

Por si u zbulua dënimi i Thanzës që nxori në pah një nga skandalet e sistemit të drejtësisë?

Ishte procesi i vettingut dhe operacioni ndërkombëtar i monitorimit që zbuloi se Admir Thanza prej 19 vitesh fshihte një dënim të dhënë nga drejtësia italiane në vitin 1999 me akuzën e vjedhjes së sendeve dhe produkteve kozmetike në një supermarket në zonën e Pescarës.

Kjo gjetje e ONM-së bëri që më 17 korrik 2018 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ta shkarkonte Thanzën nga detyra duke e nxjerrë jashtë sistemit.

Admir Thanza ankimoi vendimin, por edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit shkarkimi i tij u la në fuqi. Vetë Thanza u shpreh se nuk e deklaroi në formular pasi nuk quhet dënim por marrëveshje me shtetin italian për të paguar me gjobë një vepër penale të kryer nga kunata e tij,  kur ata ndodheshin në Itali për kurimin e nipit të gjyqtarit.

Për këtë fshehje dënimi Thanza u shkarkua nga vettingu e më pas ishte prokuroria e Tiranës e cila nisi hetimet kryesisht duke e marrë të pandehur me akuzën e falsifikimit të formularëve dhe stampave.

Në karrierën e tij Thanza ka ngjitur shkallët e drejtësisë nga Gjykata e Shkodrës ku dhe ka fshehur dënimin në vitin 1999, gjykata e Lartë e Kushtetuese po ashtu edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

E pikërisht kjo karrierë e tij sipas prokurorisë ka cënuar besimin e publikut dhe ai duhej dënuar pasi kishte ndikuar në krijimin e një imazhi të keq për gjyqtarët e prokurorët tek shoqëria.

Prokuroria pretendonte se Thanza me ndërgjegje fshehu dënimin e dhënë nga drejtësia italiane në vitin 1999, e për pasojë “një ish-gjyqtar i Lartë sipas prokurorit Habazaj cënoi rëndë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë me këtë veprim që duhet shlyer “, argumentonte prokuroria.

Shërbimi i Provës

Shërbimi i Provës është pjesë e dënimeve alternative dhe detyron këdo të dënuar, në këtë rast gjyqtarin Thanz, të mos shoqërohet me persona me precedentë penale, të paraqitet tek oficeri i kontaktit një herë në muaj si dhe të mos kryejë sërish vepër penale. Ai do të qëndrojë në liri, por në rast të shkeljes së këtyre kushteve atëherë shërbimi i provës i kërkon gjykatës të konvertojë në burg dënimin e dhënë.

Kjo është pjesë e paketës së dënimeve alternative ku duke hequr dënimin me burg përdoret Shërbimi i Provës, monitorimi me GPS apo kthimi i ditëve të punës në interes publik në ditë të vuajtjes së dënimit. Prej më shumë se një dekade Shërbimi i Provës aplikohet në të gjithë vendin ndërsa pjesë e tij janë ata të dënuar që nuk kanë kryer krime të rënda apo krime ndaj jetës.