Ballina Aktualitet Demografia, studimi i OKB: Në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do jetë...

Demografia, studimi i OKB: Në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do jetë 860 mijë banorë

Organizata e Kombeve të Bashkuara, në parashikimin e vet për popullsinë shqiptare sipas normës së fertilitetit, parashikon se, në variantin më pesimist, në vitin 2100 popullsia e vendit tonë do të jetë vetëm 860 mijë banorë, ndërsa, në variantin optimist, parashikon se Shqipëria do të ketë një popullsi prej 1,6 milionë banorësh.

Ky parashikim jo fort i mirë i OKB mbështetet tani edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave. Gjatë vitit të kaluar, sipas studimit të INSTAT, në pesë qarqe të vendit – Korçë, Kukës, Fier, Vlorë, Berat – lindjet kanë pësuar rënie dyshifrore, ndërkohë që numri i tyre ka pësuar rënie edhe në të gjitha qarqet e tjera vendit, duke përfshirë edhe Tiranën.

Në vitin 2018, në të gjithë vendin kanë lindur 28 934 fëmijë, që do të thotë rreth 2 000 fëmijë më pak se gjatë vitit 2017.

Norma e fertilitetit në vend ka hyrë në një trend rënës që prej viti 2013. Në vitin 2017, norma mesatare e fertilitetit ishte 1,48, nga 1,54 që ishte një vit më parë. Kjo normë është edhe më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian. Lindjet mesatare për grua në Bashkimin Europian janë në kuotën 1,6.