Delegacioni i BE reagon në lidhje me miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor:”Keqardhje!”

30

Delegacioni i BE në Shqipëri ka reaguar në lidhje me miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në Parlament.

Këto ndryshime u miratuan me 97 vota pro nga maxhoranca dhe opozita parlamentare.

Delegacioni i BE, ka reaguar me anë të ambasadës në Tiranë, duke shprehur keqardhje, që nuk u arrit asnjë kompromis në Këshillin Politik para se ndryshimet të votoheshin në Parlament.

Në reagim thuhet se ky miratim dhe zhvillmet në lidhje me Kodin Zgjedhor “nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi reformën zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të marsit”.

“Inkurajojmë të gjithë palët e interesuara të mbajnë fokusin te zbatimi i reformave të nevojshme për vendin për të përparuar në rrugën e integrimit në BE, përfshirë reformat e parashikuara në marrëveshjen e 5 qershorit”, thuhet në reagim e Ambasadës së BE-së në Tiranë.

Reagimi i plotë i Ambasadës së BE:  

Morëm njoftim mbi miratimin nga Parlamenti të ndryshimeve të tjera në Kodin Zgjedhor. Kujtojmë se këto nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi reformën zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të marsit.

Shprehim keqardhjen që nuk u arrit asnjë kompromis në Këshillin Politik para se ndryshimet të votoheshin në Parlament.

Me gjithë rezultatin pozitiv të marrëveshjes mbi rekomandimet e OSBE / ODIHR-it të arritur më 5 qershor 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet.

Ne inkurajojmë të gjithë palët e interesuara të mbajnë fokusin te zbatimi i reformave të nevojshme për vendin për të përparuar në rrugën e integrimit në BE, përfshirë reformat e parashikuara në marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të sillte standarde më të larta të integritetit dhe transparencës në procesin zgjedhor, çka është thelbësore për të ardhmen politike të vendit.