Ballina Politikë Dekreti i Lleshit, ambasadorja Vasak: Rama dhe Meta t’i japin zgjidhje

Dekreti i Lleshit, ambasadorja Vasak: Rama dhe Meta t’i japin zgjidhje

Ambasadorja franceze në Shqipëri Christine Vasak ka komentuar ngërçin e krijuar qeveri-presidencë për mosdekretimin e Sandër Lleshit në postin e Ministrit të Brendshëm, duke thënë se autoritetet shqiptare duhet të gjejnë një zgjidhje urgjente, pasi Gjykata Kushtetuese është e nevojshme si në këndvështrimin e politikës së brendshme ashtu edhe për politikën e jashtme, referuar marrëveshjes me Greqinë.

“Ju e drejtoni gishtin në një problematik të vërtetë, por do duhet që si çdo vend tjetër edhe Shqipëria të ketë Gjykatën Kushtetuese. Është e nevojshme si në këndvështrimin e politikës së brendshme ashtu edhe për politikën e jashtme. Edhe këtu duhet të kemi besim tek autoritetet kompetente që të gjejnë një zgjidhje sepse vërtet është urgjente,”- u shpreh Vasak.

Ambasadorja gjithashtu theksoi se mund të reagojë thjesht si juriste në këtë çështje, dhe se nuk i takon asaj dhe kolegëve të diskutojnë mbi situatën e krijuar.

“Mendoj që si kryeministri ashtu edhe presidenti janë persona me eksperiencë në politikë që kanë shkëmbime permanente mes tyre dhe që e dinë shumë mirë se çfarë duhet të ndodhë,”- shtoi së fundmi gjatë komentit saj Vasak.