Ballina Aktualitet Deklarimi i pasurisë në Kosovë, udhëheqësit milionerë të shtetit të varfër

Deklarimi i pasurisë në Kosovë, udhëheqësit milionerë të shtetit të varfër

Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë në Kosovë, procedurë kjo e rregullt vjetore, ka dëshmuar edhe njëherë për pasurinë që disponojnë disa ministra, deputetë dhe udhëheqës të institucioneve, që kalon vlerën prej disa milionë euro. Por, përkundër që përmes deklarimit dëshmohet pasuria milionëshe e disa zyrtarëve të lartë shtetërorë në Kosovë, vend ky më i varfëri në Evropë, megjithatë sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, në disa raste kjo pasuri e deklaruar është joreale.

Nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, pasuri të trashëguar nga familja, para të gatshme dhe vetura luksoze, vlera e të cilave arrin miliona euro.

Organizata joqeveritare Çohu, ka monitoruar në vazhdimësi deklarimet e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë. Genc Nimoni nga kjo organizatë thotë se një ndër gjetjet e organizatës ka qenë se sa janë të sakta vlerat që i deklarojnë këta zyrtarë publikë.

“Ne kemi gjetur mospërputhje të vazhdueshme të këtyre vlerave të pasurisë së deklaruar dhe kjo vjen kryesisht për shkak të mungesës së një mekanizimi kontrollues dhe verifikues nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion për saktësinë e këtyre vlerave. Kemi pasur raste kur deklaruesit kanë deklaruar edhe piktura me vlera marramendëse 1 miliard euro. Së fundmi kemi deklarimet e zyrtarëve publikë, ku shifrat për një patundshmëri janë 175 mijë euro, e që nuk përkon me vlerën reale. Kjo është një defekt që po e përcjell procesin e deklarimit të pasurisë e që do të duhej të merren masa”, thekson Nimoni.