Dasma në kohë virusi, policia e Durrësit ndërhyn me gjoba, mbyllen dy subjekte

55

Policia e Durrësit ka ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë, tre pronarë subjektesh dhe me mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, dy prej tyre, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet në mënyrë të përsëritur në kundërshtim me Aktin Normativ.

Në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, efektivët e policisë kanë evidentuar në Fushë Krujë, subjektin në pronësi të shtetasit Xh. B., i cili në mënyrë të përsëritur organizonte ceremoni martesore.

Për këtë subjekt, policia ka vendosur masë administrative 1.000.000 lekë dhe mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore.

Gjithashtu ky subjekt është ndëshkuar dhe nga Instituti i Shëndetit Publik.

Për subjektin me pronar D. Q., në Katund të Ri, uniformat blu kanë vendosur dy herë masë administrative 1.000.000 lekë, si dhe mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, pasi në mënyrë të përsëritur ka organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ.

Për subjektin në lagjen nr.15, Spitallë, Durrës, me pronar shtetasin S. P., shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë, pasi ka organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ për periudhën e pandemisë.

Policia apelon për të gjithë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me  qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.