Ministria e Shëndetësisë raportoi sot për 953 të infektuar të rinj me Covid-19. Kjo shifër është më e ulët se ditët e fundit, por zakonisht çdo të diel ka më pak testime ndaj të dhënat e sotme që i referohen 24 orëve të djeshme, tregojnë shifra më të ulëta në testime dhe raste të reja.
Por një fakt shqetësues evidentohet sot, pasi si asnjë ditë tjetër, në reanimacion ndodhen 36 të sëmurë rëndë e mes tyre, 15 persona të intubuar.
Ministria e Shëndetësisë pohoi dje se 78 për qind e shtretërve ishin zënë deri dje kur ishin 437 pacientë dhe kjo shifër u rrit edhe më shumë sot (449) duke bërë që të jenë drejt fundit, 550 shtretërit e 4 spitaleve COVID në Tiranë e për rrjedhojë edhe të reparteve të terapisë intensive.
Sakaq vdekshmëria vazhdon të jetë në shifra të larta, 12 humbje jete 24 orët e fundit, mes të cilëve, të moshave 54 -76 vjeç. Aktualisht ka shkuar në 1472 numri i personave të vdekur në spitalet Covid. Këtu përfshihen vetëm ata që janë pozitivë me koronavirus në momentin e vdekjes.
Asnjë shifër nuk ka publike për ata që kanë vdekur në spitalet e tjera shtetërore, në ato private brenda e jashtë shtetit si dhe në azilet e pleqve e në banesa.
Deri dje janë kryer afro 390 mijë testime që kanë nxjerrë mbi 86 mijë të infektuar ose një e katërta e të testuarve.
Mbi 32 mijë persona janë ende të sëmurë, nga të cilët 18905 në Tiranë, 2779 në Fier, 1784 në Durrës, 1563 në Elbasan, 1512 në Shkodër, 1542 në Vlorë, 1118 në Lezhë, 1021 në Korçë, 895 në Berat, 707 në Gjirokastër, 474 në Kukës dhe 389 në Dibër.