COVID-19/”Asnjë qytetar apo automjet nuk do të lejohet të lëvizë”, Policia informon për masat që do të merren gjatë festave

410

Drejtori i Departamentit për Sigurinë në Policinë e Shtetit Gjovalin Loka, bëri me dije veprimet që do të merren nga Policia e Shtetit gjatë festave të fundivitit për të siguruar zbatimin e masave Anti-COVID-19.

“Nisur nga situata e krijuar për shkak të COVID-19, duke filluar nga mbrëmja e ditës së sotme deri më datë 04.01.2021, orari i lëvizjes së këmbësorëve, automjeteve, si dhe mbajtja hapur e lokaleve që ofrojnë shërbime për qytetarët do të ndalohet nga ora 20:30 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit”, – thuhet në njoftim, teksa jepen edhe masat konkrete që janë ndërmarrë në të gjithë territorin.

Masat e Policisë së Shtetit për festat e fundvitit:

Në kuadër të festave të fundvitit, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, si dhe në zbatim të Urdhrave të Ministrisë së Shëndetësisë për vendosjen e masave të reja kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID 19, strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë një sërë masash shtesë.

Nisur nga situata e krijuar për shkak të COVID-19, duke filluar nga mbrëmja e ditës së sotme deri më datë 04.01.2021, orari i lëvizjes së këmbësorëve, automjeteve, si dhe mbajtja hapur e lokaleve që ofrojnë shërbime për qytetarët do të ndalohet nga ora 20:30 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë masa që pas orës 20:30 të mbrëmjes së sotme deri në orën 06:00 të mëngjesit të çdo dite deri më datë 4 janar, të mos lejojnë asnjë qytetar apo automjet që të lëvizë, si dhe asnjë lokal të mos jetë i hapur. Përjashtohen nga ky kufizim vetëm personeli shëndetësor, ai policor, ushtarak, gazetarët dhe ata që janë në punë turni i tretë në linjat e prodhimit të konsumit të përditshëm.

Policia e Shtetit e ka vlerësuar si të domosdoshme marrjen e disa masave shtesë, si dhe kalimin e të gjithë strukturave të Policisë në gatishmëri “Shërbim të përforcuar”.

Për këtë qëllim, Policia e Shtetit ka hartuar planet e masave në nivel qendror dhe atë vendor, në të cilat janë përcaktuar objektivat dhe detyrimet për strukturat e saj, nëpërmjet të cilave synohet:

Rritja e sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve duke rritur prezencën policore në të gjithë territorin, për faktin se në raste festash kemi rritje të numrit të qytetarëve të cilët kthehen pranë familjeve të tyre për të festuar festat e fundvitit;

Sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimi dhe mbajtja nën kontroll e personave me precedent kriminal dhe penal, sidomos e atyre personave që kthehen për të festuar festat, duke identifikuar dhe mbajtur në vëzhgim automjetet që përdorin apo ambienteve që frekuentojnë ata, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale;

Rritja e efikasitetit të shërbimeve të Policisë në njohjen e situatës operative kriminale, nëpërmjet bashkërendimit dhe bashkëveprimit efektiv të strukturave, me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit;

Monitorimi i qarkullimit të automjeteve, duke shtuar prezencën policore në të gjitha akset rrugore nacionale, qytetase dhe ndërqytetëse, në përdorimin e mjeteve logjistike si radarë e dragera, për parandalimin e drejtimit të mjetit në gjendje të dehur apo me shpejtësi mbi normat e lejuara, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore;

Krijimi i lehtësirave ligjore në pikat e kalimit të kontrollit kufitar në rast se do ketë fluks në hyrje duke shtuar burimet njerëzore dhe infrastrukturën, si dhe aplikimin e kontrolleve të lehtësuara kufitare.

Shtimin e kontrollit të automjeteve në bazë të analizave të riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kryesisht të lëndëve narkotike, në shtimin e patrullave në kufirin e gjelbër, si dhe në bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve me homologët kufitarë për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare;

Shtimi i kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë, duke bashkëpunuar me strukturat e tjera ligjzbatuese.

Në këtë kuadër po intensifikohen kontrollet për verifikimin e kushteve të prodhimit, magazinimit, tregtimit dhe përdorimit nga subjektet e licencuara të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrët.

Policia e Shtetit e vlerëson si mjaft të çmuar bashkëpunimin me komunitetin dhe në këtë kontekst do të analizojë dhe rivlerësojë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës dhe pronës, konfliktet për motive të ndryshme, për personat në kërkim, si dhe do të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartin Special “RENEA” dhe Njësinë Speciale “FAST”.

Policia e Shtetit, nëpërmjet këtyre masave synon që festa e Krishtlindjes dhe e Vitit të Ri të mos veniten nga episode të mundshme paligjshmërie, pavarësisht se ndryshe nga çdo vit nuk do të kemi festime masive dhe në rrugë, as për natën e sotme dhe as për natën e ndërrimit të viteve, për shkak të situatës së pandemisë COVID-19, pasi masat e reja kufizuese ndalojnë qarkullimin e qytetarëve dhe të automjeteve apo mbajtjen hapur të lokaleve pas orës 20:30 të mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve që të mos grumbullohen për festime në sheshe apo në ambiente të tjera dhe të shmangin përdorimin e fishekzjarrëve.

Të gjithë qytetarët duhet të festojnë në shtëpi pranë familjeve të tyre dhe të ndihmojnë Policinë, duke respektuar masat kufizues anticovid, si dhe duke denoncuar çdo paligjshmëri në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurt dhe uron të gjithë qytetarët: Gëzuar festat, shëndet, mbarësi dhe sa më shumë besim e bashkëpunim të ndërsjellët për të mirën e përbashkët gjatë vitit 2021.