Ballina SPORT City rrëshqet në vendin e tretë, Guardiola nis të ndiejë presionin

City rrëshqet në vendin e tretë, Guardiola nis të ndiejë presionin

Kur ka kaluar vetëm gjysma e sezonit në kampionatin më të fortë të futbollit në planet, trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka nisur të ndiejë presionin.

Tekniku i “Citizens” u shpreh i shqetësuar për rrëshqitjen nga kryesimi, teksa tani e shohin veten në vendin e tretë. Sezonin e kaluar, skuadra e tij ishte në krye të renditjes me 13 pikë avantazh mbi rivalin më të afërt, një distancë që askush nuk mundi ta kalonte deri në fund, e që i dha titullin kampion.

Por këtë vit, pas 19 ndeshjeve që përfaqësojnë gjysmën e turneut, City është i treti në hierarkinë e Premier League, me 7 pikë më pak sesa Liverpooli kryesues. Tri humbje në 4 ndeshjet e fundit kanë sjellë një krizë që nuk mendohej para një muaji.

“Lojtarët duhet të mendojnë për ndeshjet me radhë, e jo për renditjen, pasi duhet të ndryshojë dinamika. Lojtarët janë të aftë dhe në gjendje të bëjnë gjëra të mëdha,” – tha Pep Guardiola.

Manchester City është në garë për Premier League dhe Champions League, por me paraqitjet e fundit, askush nuk beson se skuadra e sheikut Mansour do të arrijë të imponohet.

Në Angli, Liverpool dhe Tottenham, me gola dhe spektakle po kopjojnë ecurinë e “Citizens” gjatë sezonit të kaluar. Megjithatë, prova e forcës do të vijë shumë shpejt. Liverpool luan në shtëpi ndaj Arsenalit më 29 dhjetor, si dhe kundër Manchester Cityt më 3 janar; në këtë të fundit që përfaqëson një përballje të drejtpërdrejtë që do të vendosë shumë mbi moralin dhe renditjen.