Ballina SPORT City mposht Everton, Tottenham 3 pikë në frymën e fundit. Bayern shkatërron...

City mposht Everton, Tottenham 3 pikë në frymën e fundit. Bayern shkatërron Hannover-in

Manchester City pas disfatës me Chelsea është rikthyer te fitoret këtë fundjavë në “Premier League” pasi ka mposhtur në “Etihad” me shifrat 3-1 skuadrën e Everton. Të besuarit e Pep Guardiolës e zhbllokuan sfidën që në minutën e 22 me Gabriel Jesus që shfrytëzoi siç duhet një asist të Sane-s. Ishte po kjo dyshe lojtarësh që dyfishoi rezultatin për ‘qytetarët’, me gjermanin që asistoi dhe me brazilianin që konkretizoi sërish.

Everton në minutën e 65-t ringjalli shpresat për të dalë me pikë nga kjo sfidë, por Stërling pak çaste më vonë shënoi golin e tretë që vulosi njëkohësisht edhe shifrat përfundimtare të këtij takimi.

Fitore për City-n, por fitore edhe për Tottenham që kundër Burnley-t ka vuajtur shumë për të marrë 3 pikët. ‘Spursat’ në “Wembley” i nderoi Eriksen në minutat shtesë të kohës së rregullt. Ishte një asist i Kane që u shfrytëzua siç duhet nga danezi i cili lumturoi në stadium ata tifozë të cilët ende nuk ishin larguar dhe besonin te një fitore.

Ndërkohë në Bundesligë, Bayern Mynchen ka shkatërruar me rezultatin 0-4 në transfertë Hanoverin. Skuadra e Kovac nuk e vendosi për asnjë moment në diksutim trepikëshin pasi që në minutën e 2 Kimmich kaloi në avantazh bavarezët. Më pas rezultatin do ta dyfishonte Alaba i cili realizoi një supergol në hyrje të zonës. Në pjesën e dytë, në listën e golashënuesve vendosën emrat e tyre edhe Gnabry me Lewandowsk-in.