Ballina BOTA CIA: Vrasja e gazetarit Khashoggi u urdhërua nga princi saudit

CIA: Vrasja e gazetarit Khashoggi u urdhërua nga princi saudit

CIA ka arritur në përfundimin se princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman ka urdhëruar personalisht vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, pavarësisht se qeveria saudite mohon përfshirjen “de facto” të sundimtarit, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan.

Zyrtari i lartë i SHBA tha për CNN të premten se përfundimi bazohet në një regjistrim të dhënë nga qeveria turke dhe prova të tjera, duke përfshirë edhe inteligjencën amerikane.
Hetuesit gjithashtu besojnë se një operacion i tillë si ai që përfundoi me vdekjen e Khashoggi nuk do të kishte ndodhur pa dijeninë e bin Salman duke marrë parasysh kontrollin e tij ndaj qeverisë, tha zyrtari i lartë i SHBA, raporton “BalkanWeb”.

Një zëdhënëse e ambasadës saudite tha në një deklaratë se “pretendimet në këtë vlerësim të supozuar janë të rreme. Ne kemi dëgjuar dhe vazhdojmë të dëgjojmë teori të ndryshme pa parë fakte për këto spekulime”.

Washington Post ishte i pari që raportonte mbi raportin e CIA-s. Sipas WP, zyrtarët amerikanë kanë besim të lartë në vlerësimin e CIA-s.