Ballina BOTA Chicago, katër të vdekur pas të shtënave me armë në spital

Chicago, katër të vdekur pas të shtënave me armë në spital

Katër persona kanë humbur jetën pas të shtënave në një spital të Chicagos dhe një zëdhënës i policisë deklaroi se agresori kishte mbetur i vdekur pas shkëmbimit të të shtënave me armë zjarri, por ende nuk dihet me saktësi nëse ai është vetëvrarë apo u qëllua nga policia.

Zyrtarët shprehen gjithashtu se agresori kishte për objektiv një femër, me të cilën kishte pasur një marrëdhënie, por nuk japin ende një motiv për këtë ngjarje.

“Chicago humbi një doktor, një ndihmësfarmaciste edhe një oficer policie, që të gjithë në punën e tyre, duke bërë atë që donin më shumë në jetë. Kjo ngjarje ka tronditur qytetin. Kjo është fytyra e vërtetë dhe pasoja e së keqes,” – tha Emanuel.

Incidenti ndodhi në spitalin “Mercy” të Chicagos rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme. Policia tha se gjithçka kishte nisur me një grindje në parkingun e makinave mes personave që e njihnin njëri-tjetrin.

Agresori qëlloi fillimisht gruan që me sa duket e njihte, e më pas hyri brenda godinës, i ndjekur nga afër nga disa oficerë policie. U qëllua disa herë, madje pa dallim. Spitali “Mercy” u evakua me shpejtësi gjatë incidentit, ndërsa policë të armatosur mbërritën shumë shpejt në vendngjarje. Spitali konfirmoi më vonë se policia kishte mundur të siguronte zonën dhe të ofronte mbrojtje për dhjetëra pacientë.