Ballina SPORT Champions, Juventusi si Milani dhe Liverpuli

Champions, Juventusi si Milani dhe Liverpuli

Juventus mbetet një nga skuadrat më të kuotuara për të fituar Ligën e Kampioneve këtë sezon, pavarësisht rezultateve aspak ekzaltuese në pjesën e dytë të grupeve.

Disfatat ndaj Mançester Junajtid dhe Jang Bojs nuk e cenojnë gjithsesi optimizmin e bardhezinjve për të rikthyer në Torino trofeun prestigjioz.

Dy hapa fals në turneun kontinental po kuptohen si leksione për të ardhmen, pasi nga muaji shkurt çdo gabim mund të kompromentojë sezonin. Numrat në futboll janë të rëndësishëm si golat dhe pritjet vendimtare, dhe gjykuar nga statistikat e mëparshme Juve ka jo shumë shanse për të triumfuar.

Në 26 edicione të Champions League deri më tani, vetëm 3 herë skuadrat që kanë humbur dy ndeshje në fazën e grupeve kanë arritur të ngrenë trofeun në finalen e madhe. Kjo ndodhi me Milanin në 2003 dhe 2007, si dhe me Liverpulin në vitin 2005.

Kuqezinjtë asokohe drejtoheshin nga Karlo Ançeloti, madje kishin një rastësi të çuditshme pasi në finalen e Mançester mundën Juventusin me penallti. Në vitin 2007, Milani mundi Liverpulin.

Ky i fundit bëri të njëjtën gjë në grupe në sezonin 2004-2005, madje në finalen e Stambollit bëri të paimagjinueshmen: disavantazh 0-3 në pjesën e parë dhe përmbysje e çmendur e sukses te goditjet e penalltive.