Ballina OPINION Carlo Bollino: Ja pse ndërkombëtarët për herë të parë nuk po e...

Carlo Bollino: Ja pse ndërkombëtarët për herë të parë nuk po e ndërmjetësojnë këtë krizë.

Tek kriza që ka shpërthyer mes mazhorancës dhe një pjese të rëndësishme të opozitës, ajo çka të habit nuk është radikalizmi i protestës nga PD dhe LSI, por indiferenca që po vazhdon të tregojë komuniteti ndërkombëtar. Kriza, edhe të rënda, Shqipëria ka përjetuar shumë në këto 27 vjet demokraci dhe nuk mbahet mend asnjë prej tyre që të jetë zgjidhur vetëm nga protagonistët shqiptarë. Paaftësia kronike e këtushme për të gjetur një kompromis, gjithnjë është zgjidhur nga ndërhyrja e ndonjë ndërmjetësi të huaj, i cili ka detyruar palët të ulen rreth një tryeze e të gjejnë marrëveshjen.

Ndoshta është për faj të një vëmendjeje kaq të madhe të marrë në të kaluarën nga të huajt përballë kapriçove tona, që një pjesë e politikës shqiptare ka refuzuar të evoluojë. Si provë e re e kësaj prapambetjeje kulturore, historiani Kastriot Dervishi solli në kujtesë se gjesti i djegies së mandateve parlamentare, që bëri opozita sot, ka vetëm një precedent dhe, për ta gjetur atë, duhet të kthehesh në kohën e Asamblesë së parë Kombëtare, në vitin 1920, kur 25 deputetë, nga 38 të tillë, dhanë dorëheqjen, për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme. Pas 100 vjetësh, duket se nuk ka ndryshuar asgjë.

Prej kohësh në kancelaritë evropiane nuk po fshihet bezdia që kanë ndaj karakterit përsëritës të krizave shqiptare, në të cilat protagonistët, shkaqet dhe dinamikat nuk ndryshojnë kurrë. Ndërkombëtarët tashmë e shohin si të kotë ndërhyrjen e tyre, pasi e kanë kuptuar se, në këto anë, asnjë krizë nuk vlen si antidot kundër krizës pasuese, deri në atë pike, sa që konflikti i këtyre muajve të fundit është, praktikisht identik me atë të shpërthyer, përsëri nga Partia Demokratike, vetëm dy vjet më parë. Dhe marrëveshja komplekse politike, e cila edhe atëhere u arrit pas një presioni të fortë ndërkombëtar, përfundoi në koshin e plehrave, bashkë me iluzionin se klasa politike do të kishte kuptuar dhe do të dinte të tregonte një pjekuri më të madhe.

Por përse këtë herë, ndryshe nga herët e tjera, askush nuk ndërhyn? Pas vendimit të opozitës për të djegur mandatet dhe për të nisur protestat në shesh, diplomatë dhe liderë të huaj janë kufizuar vetëm në bërjen të njohur të opinionit të tyre mbi krizën, por pa imponuar asnjë zgjidhje. Të gjithë kanë qenë unanimë në dënimin e sjelljes së opozitës dhe në mbështetjen e veprimit të qeverisë (duke theksuar edhe legjitimitetin e zgjedhjeve të vitit 2017), por askush nuk ka shkuar më tej se kaq. Pse?

Arsyeja e parë e dukshme është se “Dosja Shqipëria” i ka lodhur të gjithë. Asnjeri nuk ka më dëshirë të dëgjojë të flitet për zgjedhje të kontestuara, për standarde që duhet të arrihen e që nuk arrihen kurrë, për politikanë që nuk arrijnë të lëshojnë pe’ drejt një kompromisi dhe për kundërshtarë, që vazhdojnë të trajtohen si armiq.

Arsyeja e dytë është se akuzat bombastike, që Basha, Berisha dhe Monika bëjnë në çdo takim, po kthehen në bumerang. Në fakt, ato, jo vetëm që nuk bindin asnjë vëzhgues të pavarur, por janë aq të ekzagjeruara (dhe zgjidhjet që pretendohen, janë aq radikale), saqë e bëjnë çdo kompromis të paimagjinueshëm. Nuk ka ambasador në botë që të pranojë të nisë një negociatë, kur nuk duket në horizont një zgjidhje e mundshme e cila mund të pranohet nga të gjitha palët. Dhe ajo që kërkojnë PD dhe LSI, nuk ka sens nga pikëpamja diplomatike.

Arsyeja e tretë është se komuniteti ndërkombëtar ka të tjera kriza, shumë më të rëndësishme, për të zgjidhur. Me përfundimin e luftërave etnike, Ballkani doli (për fat të mirë) nga agjenda e emergjencave dhe nuk do të jenë 5 mijë vetë në Tiranë, që do ta bëjnë atë të hyjë përsëri aty. Ajo çka ndodh në Venezuelë (me Maduron e vërtetë), në Libi, në Lindjen e Mesme, në Korenë e Veriut, në marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë dhe, madje, edhe brenda për brenda Bashkimit Evropian, i cili rrezikon të shkërmoqet, alarmon shumë më tepër se sa ambicjet e pangopshme të Berishës plak. Pra, indiferenca diplomatike është një mesazh për t’u kujtuar shqiptarëve se nuk janë qendra e botës.

Arsyeja e katërt është se shantazhi që bën opozita, domethënë bojkoti i institucioneve demokratike si kusht për të bërë që të pranohen kërkesat e saj, shihet si një precedent i rrezikshëm, që nuk meriton asnjë lloj njohjeje. Të nisësh një negociatë ndërkombëtare për të çmontuar atë shantazh, rrezikon të paraqitet si një legjitimim i tij dhe ajo, të cilën komuniteti ndërkombëtar kërkon ta shmangë me çdo kosto, është që kjo metodë do të dukej e efektshme e kështu do të mund të zbatohej në pafundësi, jo vetëm në Shqipërinë e ardhshme, por edhe në vende të tjerë, e jo vetëm në këtë rajon.

Ka, më në fund, edhe një arsye të pestë, e cila ndoshta është sinteza e gjitha të tjerave. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian këtë herë duken të vendosur të testojnë në terren aftësinë për integrim të Shqipërisë dhe të liderëve të saj. Përveç standardeve, që duhet të respektohen dhe reformave që duhet të zbatohen, në botën perëndimore ekziston një ide e demokracisë, e cila nuk matet nga raportet, dhe as në negociatat për bashkim, por që duhet gjetur në sjelljet. Është si aroma e pranverës, e cila ndjehet në ajër dhe që të bën të kuptosh, edhe pa shikuar kalendarin, kur ka ndryshuar stina. Ndoshta Shqipëria, për herë të parë në 27 vjet, është lënë e vetme në mes të detit për të kuptuar nëse me të vërtetë ka mësuar të notojë. Një provë kjo, që ka të bëjë me politikën, mediat, institucionet, opinionin publik. Një provim pjekurie, në të cilin, pa e ditur, ndoshta po marrim të gjithë pjesë. Kush nuk e kalon, fundoset për gjithmonë.