Ballina OPINION Buxhet apo tritol që vret??!

Buxhet apo tritol që vret??!

Nga Agim Xhafka

Hartimi i buxhetit të shtetit është një ngjarje që nuk u intereson vetëm partive, por të gjithëve.

Se atje janë detyrimet e popullatës, por edhe shkalla e fitimit që parandjehet.

Ndërkohë në mes të këtyre ditëve kanë hyrë si pa u ndjerë koncesionet e mjaft rrugëve. Shuma e tyre shkon deri në 1 miliardë euro, që për ekonominë tonë është shifër e madhe.

Në se do ishte investim bujrum, por është borxh e si i tillë më sjell ndër mend ato pallatet kur rrëzon qeveria se janë pa leje.

U kujtohen pamjet e xhenierëve?

Që hapin vrima e vrima në çdo kat. Pastaj i mbushin me tritol,u venë detonatorin dhe bum,ikën pallati për lesh. Shtrihet në tokë si dinozaur i madh.

Njësoj do  rrëzojnë ekonominë koncesionet që jep qeveria. Janë vrimat ku do vendoset borxhi i viteve që vijnë. Do taposet mirë e mirë me kontrata të kopsitura në favor të oligarkëve dhe votimi në parlament do i japë zjarr fitilit.

Nuk do bëjë bum këto muaj.

Se ka afatet e veta. Do plasë pak nga pranvera,pak nga vjeshta dhe vitin tjetër shtrihet Shqipëria përtokë. Gjithë të ardhurat nga taksat e tatimet do firojnë për borxhet e mara ndër vite dhe një llokmë e madhe për koncesionet.

Do hajë Rruga e Kombit, Rruga e Arbërit, Rruga e Kasharit, e Dukatit e plot e plot piavica që do pinë gjak nga vendi ynë anemik.

Më tremb shumë rreshtimi ushtarak i deputetëve socialistë. Edhe në kohë të Nanos kishte grupe që mendonin ndryshe.

Tani krejt si robotë ngrenë dorën për gjëmën që po i bëjnë vendit. Nuk llogarisin se sa do zhvatin PPP-të, ka rëndësi të jenë në unitet me liderin që do kujtohet shumë shpejt si arkitekt i falimentimit të shtetit.

Buxheti është një thes që e mbush krejt populli. Brenda fusin dorën qeveritarët dhe ca miq të tyre. Por po vjen rreziku që thesi të transformohet në torbë. Se fuqia e re punëtore dhe e kualifikuar po ‘fluturon’ në vise të ngrohta progresi.

Atëherë oligarkët do marrin pjesën e tyre e qeveria do rrisë taksa, do ulë rroga, do firojë pensione e skenari grek do trokasë në derë.

Rreziku është te porta.

Të gjithë e ndjejmë, por qeveria si ariu fle në krevatin e koncesionarëve.

Buxheti 2019 po kthehet në tritol. Do ndizet fitili këto ditë në parlament, shpërthimit nuk do i shpëtojë askush.

Duhet të flasim.

Sot jemi pak vonë.

Nesër do jemi të ‘vdekur’, do jemi pa zë…