Burri shqiptar arratiset nga psikiatria, sulmon me thikë ish-gruan dhe ish-vjehrrin

113

Një 46-vjeçar shqiptar në Greqi, akuzohet se është arratisur nga psikiatria dhe ka shkuar te banesa e gruas që kishte në proces ndarjeje duke sulmuar me thikë atë dhe të atin e saj.

Ngjarja ka nxitur policinë të dërgojë një dosje penale në prokurori dhe kjo e fundit e çoi menjëherë në gjykatë çështjen e ngritur.

Burri 46 vjeçar nga Shqipëria u arrestua të Dielën, e paditur nga ish-gruaja e tij për kërcënim me thikë dhe po gjykohet sot në Gjykatën Penale të qytetit Volos, raporton noa.al.

Gjithçka ndodhi pasditen e së shtunës kur 46 vjeçari ishte arratisur nga Klinika Psikiatrike e Spitalit Universitar të Larisës. Ai gjendej atje pasi ishte duke u kuruar pasi mjekët gjykuan se ai vuan nga sindroma stalking dhe ka kaluar në fazë çmendurie.

Pasi mori arratinë, 46 vjeçari u nis për në Volos dhe shkoi tek shtëpia ku ish e shoqja jetonte me babanë e saj. Me të hyrë në banesë, ai u grind me vjehrrin e tij dhe e kërcënoi me thikë. Më tej sulmoi me thikë në dorë të shoqen duke e kërcënuar se do ta vriste, veprim që e bëri para fëmijës së tyre, i cili ishte tmerruar dhe filloi të qajë.

Pas prangosjes, i dyshuari akuzohet për kërcënim në mënyrë të përsëritur, mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armëve, kërcënim të dëmtimit të pronës së tjetrit, shpifje dhe mbajtje droge.

Gjatë arrestimit policia i gjeti rreth pesë gramë kokainë. I dyshuari, është ridërguar në Spitalin Psikiatrik të Spitalit Universitar në Larisa nga ku u arratis.