Ballina Aktualitet Burrel, kryeministri Rama: Meta humbi të drejtën të qëndrojë në atë zyrë

Burrel, kryeministri Rama: Meta humbi të drejtën të qëndrojë në atë zyrë

Kryeministri Edi Rama, nga Burreli ku është duke mbajtur takimin e radhës, u shpreh se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, duke shtuar se presidenti Ilir Meta, me vendimin e djeshëm, e ka humbur te drejtën për të ndenjur në atë zyrë.

“Opozita e rrugës mbërmë ishte më e pakët se asnjëherë, – tha kryeministri Rama. – Ata sa më shumë pakësohen, aq më shumë shtrihen në bulevard si çamçakiz. Akoma më pak do t’i ndjekin në atë rrugë pa rrugë.”

Duke iu referuar Presidentit të Republikës dhe shfuqizimit të dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, kryeministri Rama tha se “kushtetuta nuk është filxhan që rrotullohet.” “Zgjedhjet nuk janë llumi i kafes që e rrotullojnë kur kthen filxhanin, – tha kreu i qeverisë. – Dje Meta nënshkroi fatin e tij që e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë zyrë.”

Megjithatë, kryeministri nuk e ka shtjelluar më tej domethënien e plotë dhe të qartë të asaj që ka thënë lidhur me Ilir Metën si President i Republikës.