Ballina BOTA Bruksel, presidenti Juncker: Rumania, e papërgatitur që të drejtojë BE

Bruksel, presidenti Juncker: Rumania, e papërgatitur që të drejtojë BE

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, ka shprehur dyshimet mbi aftësinë e Rumanisë për të marrë mandatin presidencial të udhëheqjes së Bashkimit Evropian, që ndryshohet çdo gjashtë muaj. Juncker është në mediat gjermane duke thënë se “qeveria në Bukuresht ende nuk e ka kuptuar se çfarë do të thotë të udhëheqësh shtetet e BE.”

Rumania do të udhëheqë presidencën e Bashkimit Evropian nga 1 janari, për herë të parë që nga anëtarësimi i saj në BE, në vitin 2007.

Juncker shtoi se presidenca e Bashkimit Evropian “kërkon vullnet për të dëgjuar të tjerët.” “Kam dyshime mbi këtë,” – ka shtuar presidenti i Komisionit Evropian.

Ai po ashtu vuri në dyshim kapacitetin e shtetit rumun për të ruajtur unitetin, për shkak të problemeve të brendshme politike. “Duhet të ketë unitet në shtëpi për të fuqizuar unitetin në Evropë gjatë mandatit,” – ka thënë Juncker.

Në nëntor, edhe vetë presidenti rumun Klaus Iohannis tha se vendi i tij nuk është plotësisht i gatshëm për të përmbushur këtë detyrë.