Ballina BOTA Bruksel, Mogherini: Marrëveshja Kosovë-Serbi, nuk guxon të çojë në ndarje etnike

Bruksel, Mogherini: Marrëveshja Kosovë-Serbi, nuk guxon të çojë në ndarje etnike

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha të hënën se çfarëdo marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që mund të arrijnë Kosovë dhe Serbia, përfshirë edhe korrigjimin e mundshëm të kufijve, nuk guxon të mbështetet në linja etnike.

Ajo i bëri këto komente pas takimit të shefave të diplomacive të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët pos tjerash diskutuan edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimorë përfshirë edhe bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat aktualisht kanë ngecur.

Zonja Mogherini tha se bisedimet janë në “vështirësi”, duke vënë theksin tek tarifat prej 100 për qind që qeveria e Kosovës u ka vënë mallrave nga Serbia dhe Bosnja, një veprim që nxiti reagimin e Beogradit i cili kushtëzoi vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

Ajo sërish i bëri thirrje Prishtinës që të heqë tarifat, ndërsa shfaqi besimin se ende është e mundur të arrihet një marrëveshje “ligjore gjithëpërfshirëse” për normalizimin e marrëdhënieve. Ajo marrëveshja tha ajo, do të duhej të përfshinte të gjitha çështjet e hapura.

Zonja Mogherini tha se për Bashkimin Evropian është me rëndësi që ajo marrëveshje të respektojë të parimet e së drejtës ndërkombëtare.

“Më lejoni të them qartazi. Jo ndarje në vija etnike. Që të jem edhe më e qartë, çfarëdo ‘korrigjimesh’ që të dyja palët mund të diskutojnë në të ardhmen, marrëveshja nuk duhet të përfundojë me krijimin e shteteve etnikisht të pastra. Në çdo rast, të dyja vendet duhet të jenë shumetnike”, tha ajo, duke nënvizuar se u takon palëve që të përcaktojnë se çfarë do të jetë zgjidhja përfundimtare.