Ballina Aktualitet Bruksel, ministrja Gjonaj: Shqipëria e vendosur për të thelluar reformat me mbështetjen...

Bruksel, ministrja Gjonaj: Shqipëria e vendosur për të thelluar reformat me mbështetjen e BE

Qeveria Shqiptare është e vendosur për të vijuar në rrugën e reformave të ndërmarra në funksion të forcimit të shtetit ligjor dhe mbështetja e BE përmes çeljes së negociatave do të ndihmojë për t’i çuar ato përpara.

Ky ka qenë qëndrimi i shprehur nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në Samitin Evropian të Ballkanit Perëndimor 2018 mbi “Zgjerimin, Integrimin dhe sfidat e ndryshimeve”.

Samiti, i mbajtur në Bruksel, është organizuar nga “Friends of Europe” në bashkëpunim me Progamin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Komisionin Evropian, për të diskutuar mbi sfidat, idetë dhe shqetësimet e vendeve të rajonit në kuadër të procesit të integrimit europian.

Reforma në Drejtësi që Shqipëria është duke zbatuar, ka marrë vlerësime pozitive gjatë samitit duke u konsideruar si një model i suksesshëm edhe për vendet e tjera të rajonit.

Duke marrë fjalën në samit, Gjonaj ka theksuar se Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për të forcuar sundimin e ligjit përmes reformave të thella.

“Reforma në Drejtësi po jep rezultate të prekshme për qytetarët, ku Vetingu po mundëson pastrimin e pallatit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. 31 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar, 35 të tjerë të konfirmuar në detyrë dhe 15 që kanë dhënë dorëheqjen për të mos iu nënshtruar Vetingut, janë tashmë dëshmia më e mirë se zbatimi i reformës në drejtësi po jep rezultate konkrete,” – është shprehur Gjonaj.

Ministrja shqiptare duke falenderuar partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin e deritanishëm ka theksuar se mbështetja politike e Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e Reformave në Shqipëri.