Ballina BOTA Bruksel, ministrat e jashtëm të BE-së, takim për raportet Kosovë-Serbi

Bruksel, ministrat e jashtëm të BE-së, takim për raportet Kosovë-Serbi

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të fokusohen ndër të tjera edhe tek situata e Ballkanit Perëndimor, gjatë takimit të fundit për këtë vit.

Raportet në media tregojnë se presidenca austriake pret që ministrat të reflektojnë më së shumti mbi tema që prekin raportet mes Kosovës e Serbisë, me theks të veçantë tek veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës si dhe pasojat që ato mund të kenë tek normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin. Burime diplomatike nga BE-ja thanë për Radion Europa e Lirë se shefat e diplomacive europiane do të përqendrohen tek taksa e vendosur mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja si dhe paralajmërimet e Prishtinës për votimin e ligjit që parashikon transformimin e FSK-së në ushtri.

“BE-ja ndan mendimin e njëjtë me NATO-n sa i përket formimit të ushtrisë së Kosovës, e cila, sipas tyre, duhet të jetë rezultat i një proçesi gjithëpërfshirës dhe në përputhje me ndryshimet kushtetuese”, – pohojnë të njëjtat burime.

Diplomatët e bllokut kanë theksuar se për ushtrinë duhet të pyetet edhe Beogradi zyrtar. Sipas tyre, nëse për formimin e saj nuk ka pajtim nga ana e Serbisë, atëherë kjo çështje do të duhej të zgjidhej në kuadër të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit.

Gjithashtu, ministrat pritet t’i bëjnë thirrje edhe njëherë Prishtinës të tërhiqet nga vendimi i taksës, pasi ky veprim, siç thonë në Bruksel, “e ka komplikuar edhe më shumë situatën dhe është në kundërshtim me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”.