Ballina BOTA Bruksel, kryeministrja May vazhdon konsultimet me udhëheqësit e Këshillit Evropian

Bruksel, kryeministrja May vazhdon konsultimet me udhëheqësit e Këshillit Evropian

Kryeministrja britanike, Theresa May vazhdoi sot takimet në Bruksel me udhëheqësit e Këshillit Evropian mbi daljen e planifikuar të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Një e treta e konservatorëve në dhomën e ulët të parlamentit britanik votuan dje kundër zonjës May, duke nxjerrë kështu në dukje pengesat me të cilat ajo përballet për kalimin në parlament të marrëveshjes Brexit, për të cilën ekzistojnë dyshime të mëdha.

“Një numër i madh kolegësh hodhën votën kundër meje dhe unë dëgjova argumentat e tyre. Pas këtij votimi, ne duhet tashmë të vazhdojmë me punën për të realizuar Brexit-in për popullin britanik dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për vëndin, një marrëveshje Brexit që përmbush vullnetin që njerëzit shprehën përmes votës, që na rikthen kontrollin mbi monedhen, kufinjtë dhe ligjet tona, që mbron vendet e punës, sigurinë dhe unitetin, që ribashkon vendin dhe nuk thellon ndasitë”, – deklaroi Kryeministrja May.

Më herët gjatë kësaj jave, zonja May vendosi të shtyjë votimin në parlament për marrëveshjen e daljes nga BE-ja, pasi u duk qartë që ligjvënësit do ta refuzonin.

Një votim kundër marrëveshjes do ta detyronte Kryeministren May të largohej nga detyra, duke provokuar ndoshta edhe rënien e qeverisë konservatore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.