Ballina BOTA Bruksel, Italia arrin marrëveshjen mbi projekt-buxhetin 2019

Bruksel, Italia arrin marrëveshjen mbi projekt-buxhetin 2019

Pas paralajmërimit të Brukselit se do të merrte masa ndëshkuese ndaj Italisë për shkak të projekt-buxhetit 2019, duket se palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Kryeministri italian Giuseppe Conte është takuar në Bruksel me kreun e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, me të cilin janë dakortësuar për uljen e defiçitit publik për vitin 2019 nga 2,4 % në 2,04 %.

Ky është një hap i rëndësishëm i bërë nga qeveria e Romës, për të evituar masat ndëshkuese të parashikuara nga Brukseli, për shkelje të rregullave të përcaktuara nga Komisioni Europian për çdo vend anëtar. Kryeministri Conte ka thënë se “Italia i ka propozuar Brukselit reduktimin e koeficientit të defiçitit publik në 2,04 %, një propozim serioz dhe besojmë se bisedimet do të mbyllen në mënyrë pozitive.”

Njëherësh, me një notë zyrtare, Komisioni Evropian informon se “takimi mes Juncker dhe Conte ka sjellë zhvillime pozitive,” dhe se “Komisioni do të vlerësojë propozimin e bërë nga Italia dhe diskutimet do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim.”