Ballina BOTA Bruksel, Hahn, për protestat në Ballkan: Ndryshimet politike, përmes proceseve demokratike

Bruksel, Hahn, për protestat në Ballkan: Ndryshimet politike, përmes proceseve demokratike

Johannes Hahn deklaroi nga Brukseli se e mbështet plotësisht të drejtën e protestave dhe lirinë e shprehjes në Ballkanin Perëndimor, por Komisioneri europian i Zgjerimit dhe Fqinjësisë së mirë e bëri të qartë se “çdo lloj dhune është e papranueshme”dhe se e dënon me forcë.

Ai iu tregoi vendeve të rajonit se “ndryshimet politike mund të bëhen vetëm përmes proceseve demokratike”, përfshirë këtu zgjedhjet.

BE-ja, u shpreh zyrtari i lartë i bllokut, nuk do të jetë arbitër në atë se kush do të jetë në pushtet.

“Ata që kërkojnë prej nesh të sigurojmë diku sundimin e ligjit janë të njëjtët që besojnë se mund të hyjmë si forcë ushtarake, të përjashtojmë qeverinë aktuale dhe të zëvendësojmë atë me një tjetër. Ne nuk e kuptojmë kështu sundimin e ligjit, demokracinë dhe transparencën,” – citohet të ketë thënë Hahn.

Në emër të institucioneve të Brukselit, ai u zotua se do të vazhdojë të mbrojë parimet europiane, por e refuzoi dhunën si një mjet politik. Hahn i bëri këto komente pas takimit që zhvilloi me shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Mogherini u shpreh se shembulli i Maqedonisë së Veriut duhet të shërbejë si një motiv për vendet e tjera në rajon. Protestat antiqeveritare kanë përfshirë prej disa kohësh Serbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Të shtunën në Beograd, protestuesit hynë me forcë në objektet e Radio Televizionit të Serbisë, duke nxitur reagimin e policisë dhe arrestimin e disa prej tyre.