Ballina RAJONI Bruksel, Fajon për liberalizimin e vizave me Kosovën: Prishtina të punojë me...

Bruksel, Fajon për liberalizimin e vizave me Kosovën: Prishtina të punojë me vendet skeptike

Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizmin e vizave Tanja Fajon tha sot se “është ndjerë e zhgënjyer lidhur me mungesën e vullnetit për liberalizmin e vizave për Kosovën.” Ajo u bëri thirrje institucioneve kosovare që apelin e tyre t’ia drejtojnë drejtpërsëdrejti vendeve anëtare skeptike dhe jo institucioneve të Bashkimit Evropian.

Një koment të tillë Fajon e bëri në një panel të Konferencës “BE dhe Balkani Perëndimor”, organizuar nga Friends of Europe, në Bruksel.

“Unë jam e hidhëruar dhe e zhgënjyer, pasi Kosova i ka përmbushur kushtet, – ka thënë eurodeputetja Fajon. – Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizmin e vizave, sepse ata e kanë bërë punën e tyre.” Ajo ka shtuar se “sa i përket institucioneve të BE, Kosova e ka dritën e gjelbër dhe tani kjo gjë është në dorën e qeverive të BE.”

Ajo specifikoi Gjermaninë dhe Francën, si dy vende kyçe që kanë bllokuar procesin e liberalizimit të vizave. Për këtë arsye, eurodeputetja Fajon i ka kërkuar Kosovës që, më shumë se drejt institucioneve e BE, punën e tyre ta drejtojnë kah bisedimet dypalëshe me vendet e veçanta skeptike, pasi janë pikërisht ato vende që mbajnë pezull gjithë procesin e liberalizimit të vizave.