Ballina BOTA Britani e Madhe, kryeministrja përballet më votë mosbesimi

Britani e Madhe, kryeministrja përballet më votë mosbesimi

Kryeministrja britanike, Theresa May, përballet me një votë mosbesimi nga ligjvënësit e Partisë së saj Konservatore të mërkurën, për shkak të siç thuhet, dështimit të saj për të trajtuar proçesin e largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Nëse shumica e konservatorëve në parlament votojnë kundër kryeministres May, ajo duhet të jap dorëheqje. Por, nëse i mbijeton votës së mosbesimit, një tjetër votë e tillë mund të ndodhë pas një viti.

Kryeministrja May u zotua se do ta luftojë këtë votë mosbesimi “me gjithçka që ka në duar”, duke nënvizuar se ndryshimi i udhëheqjes do të rrezikonte proçesin e BREXIT-it.

Ian Lavery, nga Partia Laburiste në opozitë, tha se “dobësia dhe dështimi i zonjës May e ka demobilizuar qeverinë në një periudhë thelbësore për vendin”.

Zyrtari i Konservatorëve, Graham Brady, paralajmëroi votën e mosbesimit të mërkurën, duke thënë se kërkesa është bërë nga 15 për qind e ligjvënësve të partisë. Ai tha se rezultati i votimit do të bëhet publik “sa më parë që është e mundur”.

Britania pritet të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars të vitit 2019, si rezultat i referendumit të vitit 2016.

Të dyja palët kanë punuar për një kohë të gjatë për marrëveshjen mbi kushtet e ndarjes, por ajo duhet të miratohet në parlament dhe më herët gjatë javës, kryeministrja May anuloi votimin e planifikuar, meqë dukej se ishte e sigurt që do të dështojë.