Ballina BOTA Britani e Madhe, kryeministrja May: Rrëzimi i propozimeve të mia, sjell kaos

Britani e Madhe, kryeministrja May: Rrëzimi i propozimeve të mia, sjell kaos

Kryeministrja britanike, Theresa May ka paralajmëruar se Britania mund të jetë “në ujëra të paeksploruar”, nëse ligjvënësit refuzojnë marrëveshjen e Brexitit.

Në një intervistë për gazetën Mail, May ka thënë se refuzimi i propozimeve të saj do të nënkuptonte “paqartësi” të mëdha për shtetin.

Ajo ka paralajmëruar anëtarët e Parlamentit se veprimet e tyre mund të çojnë në zgjedhje dhe se ka “një rrezik të vërtetë” që të mos ketë Brexit fare, apo dalje të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Zyra e May më herët ka hedhur poshtë raportimet e mediave, se kryeministrja do ta shtyjë votimin në Parlament, që është paraparë të mbahet më 11 dhjetor, ku do të votohet për Brexitin.

Muajin e kaluar, Qeveria e kryeministres May ka arritur marrëveshje me Brukselin rreth Brexitit, ku janë pajtuar për kushtet në bazë të të cilave, Britania do të largohet nga BE-ja në muajin mars. Megjithatë, kjo marrëveshje duhet të miratohet edhe në Parlament.