Ballina BOTA Britani e Madhe, Duncan pret Metën: Roli i Britanisë, kyç për stabilitetin...

Britani e Madhe, Duncan pret Metën: Roli i Britanisë, kyç për stabilitetin në Ballkan

Gjate vizitës së tij në Britaninë e Madhe, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta u prit sot nga Sir Alan Duncan, Ministër për Europën i Britanisë së Madhe.

“Shqipëria beson në angazhimin e dosmosdoshëm të Britanisë së Madhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor edhe pas Brexit,” – theksoi Presidenti Meta, “pasi, vendi juaj ka një rol kyç në këto dekada për forcimin e stabilitetit në Ballkan”.

Ministri Duncan dhe Presidenti Meta ndanë qëndrime të njëjta mbi zhvillimet në rajon, progresin historik të Maqedonisë së Veriut si dhe për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi, që të konkludojë në arritjen e një marrëveshje që do të forcojë stabilitetin dhe të ardhmen europiane të gjithë rajonit.

Ministrin Duncan siguroi Presidentin Meta se Britania e Madhe do vijojë të jetë prezente në Shqipëri dhe në rajon me qëllim të konsolidimit të demokracisë dhe shtetit ligjor. Duke vlerësuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në fushat e sigurisë, të luftës kundër krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit, Presidenti Meta theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis dy vendeve në të ardhmen në nivele më të larta.