Breshëri të shtënash drejt hotelit në Pogradec, 3 në pranga 1 në kërkim

55

Janë çuar drejt përfundimit hetimet mbi atentatet e ndodhura në Pogradec.

Nga hetimet e kryera janë zbardhur dy ngjarje, njëra e ndodhur më 1 gusht dhe tjetra mëngjesin e djeshëm, pranë hotel “Voloreka” në fshatin Tushemisht.

Si i dyshuar për ngjarjen nga ana e policisë u bë arrestimi i Mariglen Topuzi, 34 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, i dënuar më parë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Gjithashtu u shpallën në kërkim I. B., 52 vjeç, banues në Tiranë, M. B., 34 vjeç, banues në Pogradec dhe B. S., 28 vjeç, banues në Pogradec.

Nga tërësia e veprimeve intensive hetimore të kryera, dyshohet se katër të dyshuarit pas një konflikti të mëparshëm me pronarin e hotelit dhe djalin e tij, në bashkëpunim midis tyre, më 1 gusht, kanë kanosur me armë zjarri përpara hotelit, shtetasin J. M., 20 vjeç, si edhe më datë 8 gusht, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit në pronësi të shtetasit J. M., 47 vjeç, ku u shkaktuan dëme materiale tek godina e hotelit dhe 7 automjete të parkuara pranë tij.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një motor tip “Suzuki”, pa targë, 2 skafandra të përdorura nga autorët, ku janë fiksuar prova biologjike dhe balistike të tyre, fishekë luftarakë, si edhe pamje filmike të filmuara nga kamerat e sigurisë.

Aktualisht vijon puna për sqarimin e mëtejshëm dhe kapjen e tre personave të tjerë të shpallur në kërkim, të dyshuar si të implikuar në këto ngjarje.

Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Pogradecit për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, “Prishja e qetësisë publike”, “Armëmbajtja pa leje”.