Ballina BOTA Brazil, shpyllëzohet Amazona, arrin nivelin më të lartë në 10 vite

Brazil, shpyllëzohet Amazona, arrin nivelin më të lartë në 10 vite

Sipas të dhënave të fundit zyrtare shpyllëzimi i pyjeve të Amazon në Brazil ka arritur nivelin më të lartë në një dekadë.

Rreth 7.900 kilometra katrorë e pyllit më të madh në botë u shkatërrua në mes të gushtit 2017 dhe korrikut 2018, një zonë afërsisht pesë herë më e madhe se Londra.

Shifrat vijnë mes shqetësimeve rreth politikave të presidentit të ri të zgjedhur, Jair Bolsonaro.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2018, Bolsonaro premtoi se do kufizonte gjobat ndaj dëmtuesve të pyjeve dhe do dobësonte ndikimin e agjencisë mjedisore.

Gjithashtu është njoftuar se administrata do të bashkojë Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Mjedisit, gjë e cila sipas kritikëve do rrezikojë pyjet.

Sipas të dhënave më të fundit të qeverisë, shumica e shpyllëzimit ka ndodhur në shtetet e Mato Grosso dhe Pará, si edhe ka shënuar një rritje prej 13,7 përqind krahasuar me shifrat e vitit të kaluar.