Ballina LAJME Bosnje-Hercegovinë, përkujtohet masakra e Shrebrenicës, mesazh ngushëllimi nga kryeministri Haradinaj

Bosnje-Hercegovinë, përkujtohet masakra e Shrebrenicës, mesazh ngushëllimi nga kryeministri Haradinaj

Si sot 24 vite më parë, mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u vranë në atë që njihet si Masakra e Shrebrenicës. Gjenocidi i ndërmarrë nga forcat paramilitare serbe të Bosnje-Hercegovinës, nën drejtimin e Ratko Mlladiç, pati për objektiv popullsinë myslimane dhe u krye në prani edhe paqeruajtësve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Masakra e Shrebrenicës, që nisi më 11 korrik 1995 dhe zgjati për më shumë se 10 ditë, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rënda në historinë moderne evropiane. Mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë, të moshës nga 12 vjeç deri në 77 vjeç, që gjendeshin në Shrebrenicën e rrethuar nga forcat paramilitare serbe u vranë deri në zhdukjen e tyre të plotë. Trupat e viktimave u hodhën nëpër varre masive në pyjet përreth dhe identifikimi i tyre vazhdon edhe sot.

Sot, me rastin e përvjetorit të masakrës, në qendrën përkujtimore në Potoçari, në Shrebrenicë, u varrosën edhe eshtrat e 33 viktimave të tjera të gjetura.

Një mesazh ngushëllimi për viktimat ndau edhe kryeministri kosovar Ramush Haradinaj, i cili foli për drejtësi të munguar ndaj barbarive të ish-regjimit serb në Ballkan.

Aktualisht, në qendrën përkujtimore në Potoçari janë varrosur eshtrat e mbi 6 600 viktimave të gjenocidit serb, ndërsa shumë të tjerë mbeten ende të zhdukur.