Ballina Aktualitet Bollino: Çfarë rrezikon Rama (po dhe Basha) nga zgjedhjet pa garë

Bollino: Çfarë rrezikon Rama (po dhe Basha) nga zgjedhjet pa garë

Edhe duke e ditur qe PD dhe LSI s’do marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, Partia Socialiste, gjithsesi, duhet të luftojë t’i fitojë ato. Ajo që duket si një paradoks, në të vërtetë është gracka që fshihet pas këtyre zgjedhjeve pa garë, të cilat Edi Rama është i detyruar t’i përballë. Elektorati socialist është një popull besnik ndaj partisë së tij, i cili, përtej konflikteve të brendshme (që kanë qenë të shumtë në historinë e Partisë Socialiste), paraqitet i përpiktë tek kutitë e votimit, i thirrur nga buritë e parezistueshme të betejës elektorale. Por kjo është hera e pare në të cilën nuk ka asnjë betejë për të fituar dhe, kështu, është edhe hera e parë që populli socialist duhet të vendosë të shkojë për të votuar, jo vetëm për të mundur Lulin e Saliun, por ekskluzivisht për të bërë që të fitojë Edi Rama.

Imazhi i diskredituar i Berishës dhe historia e errët që ai ka pas vetes (që pasuesit e tij në parti kanë zgjedhur në mënyrë prej të verbëri ta rimishërojnë), kanë qenë një aleat i fortë në krah të Ramës në gjashtë vitet e tij të para në qeveri. Kujtimi i asaj që kanë bërë dhe që mund të bëjnë Berisha e Basha vetëm po t’u jepej mundësia, kanë shtyrë jo vetëm militantët socialistë më radikalë, por edhe një pjesë të rëndësishme të elektoratit të moderuar, që të mbështesin vizionin e Edi Ramës, por edhe t’i falin shumë nga gabimet e tij. Por çfarë do të ndodhë më 30 qershor, kur, në mungesë të ”rrezikut Berisha”, dikujt nuk do t’i dukej më ‘’urgjente” të votonte për socialistët? Po kërcënimet e opozitës për të bllokuar “me çdo kusht” votimin, apo frika për t’u identifikuar qartazi ne hyrje te KZAZ si kundershtare te Salës, a do të shtyjnë ndonjë tjetër që të rrijë në shtëpi?

Po të merret parasysh situata elektorale unikale, në të cilën Partia Socialiste u detyrua të garojë e vetme në më shumë se gjysmën e bashkive dhe në gjysmën tjetër do të ketë përballë kundërshtarë të aftë për të mbledhur vetëm disa përqind të votave, nuk ka asnjë dyshim se Edi Rama do të fitojë në 61 bashki, nga 61. Por ajo që analistët do të shohin një ditë më pas, nuk do të jenë përqindjet e fitores (që do të rezultojnë alla ‘’bullgare”  në mënyrë të sikletshme), por numrat e votave të marra. Rreziku për Partinë Socialiste, në fakt, është se votat e marra nga kandidatët e saj do të ishin më pak se votat e marra në të njejtat zona në zgjedhjet e vitit 2017, apo në ato vendore të vitit 2015. Edhe pse formalisht pjesëmarrja nuk do të ndikojë mbi legjitimitetin e rezultatit, çdo votë më pak që do të marrë PS, do të kthehet në një argument tjetër në duar të PD dhe LSI për të pretenduar se rezultatet e vitit 2017 nuk ishin reale, se ekuilibrat politikë të vendit kanë ndryshuar dhe se, prej këtej rrjedh që është e drejtë dhe e ligjshme të pretendohen zgjedhje të parakohshme. Pra, protestat do të gjejnë karburant të ri.

Rreziku i dytë, që qendron si një shpatë mbi kokën e Ramës, është se pikërisht për të shmangur këtë rënie, ndonjë komisioner nga disa të 5.500 KZAZ-ve mund të tundohej për të përfituar nga situata, duke shkelur rregullat. Prishja e zgjedhjeve, nga makutëria apo nga servilizmi i ndonjë anëtari të aparatit të madh elektoral, sot duket më e mundshme, se sa zhvillimi i një procesi të përsosur. Opozita po kërkon pikërisht gjëra të tilla, pra prova se mashtrimet bëhen edhe në zgjedhje pa garë, për të treguar se akuzat e saj për manipulimet elektorale, të bëra nga Partia Socialiste kur ekzistonte gara elektorale, ishin të bazuara.

Pikërisht për ekzistencën e këtyre dy rreziqeve të mëdha për Edi Ramën, nuk kuptohet arsyeja përse opozita për ta kundershtuar 30 qershorin nuk zgjedh rrugën më të qytetëruar të bojkotit paqësor, ndaj rrugës, së rrezikshme dhe të paligjshme, të sabotazhit të dhunshëm. Çfarëdo incidenti që do të ndodhte ditën e votimit dhe që do t’i atribuohej “mosbindjes civile”, që është shpallur tani nga opozita, do të mjaftonte të zhdukte gafa dhe abuzime, në të cilat mund të rrëshqiste aparati elektoral. Në të kundërt, nëse dita do të rrjedhë qetësisht, në fund, merret vesh se kush bën hile.

Por, përveç dy skenarëve të përcaktuar, ekziston edhe një mundësi e tretë, që duket se është sfida e vërtetë ku synon Edi Rama. Ajo që, proteston apo jo opozita, lideri socialist do të përpiqet të zhvillojë nje fushatë qytetare por shumë të forte, te mbyllënjë proces zgjedhor formalisht të pakundërshtueshëm dhe të konfirmojë me rezultatin e kutive të votimit përmasat e konsensusin e tij popullor. Të arrish të sigurosh zgjedhje të pakontestueshme do të thotë të çimentosh besimin që komuniteti ndërkombëtar deri tani ja ka dhënë. Dhe të transferosh në mënyrë përsosshmërisht të ligjshme kontrollin politik mbi 61 bashki, do të thotë edhe të përforcosh në mënyrë eksponenciale forcën e vet elektorale, edhe në perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme. Ky është skenari më i keq për lidershipin aktual të opozitës së bashkuar, që kështu do të rrezikonte të përgënjeshtrohej në të gjitha frontet dhe të margjinalizohej (mbase për gjithnjë) në skenarin politik të vendit. Në fakt, në rast se Rama rrezikon të mos fitojë edhe pa patur përballë asnjë kundërshtar, edhe opozita do të mund të humbiste prapë edhe pa hyrë në garë.